Drejtuesit e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj dhe Pano Soko zhvilluan këtë të premte një takim me fermerët në Koplik. Gjatë këtij takimi shpalosën një pjesë të programit të tyre dhe kërkuan vota për numrin 6 në 11 Maj.
“Dy gjëra të mëdha në infrastrukturë unë i kam thënë dhe ne do t’i bëjmë nëse ne një ditë do të drejtojmë Shqipërinë. Nga Shkodra dhe deri në Sarandë ne do të bëjmë një autostradë të përmasave botërore, model”, tha drejtuesi i koalicionit, Adriatik Lapaj.
Ndërkohë Soko, i cili vjen nga fusha e ekonomisë kritikoi sistemin duke thënë se "e vjel" fermerin nga paratë që fiton me djersë e punë të ndershme.
“Ky lloj sistemi, është një model politik, që paranë tuaj, të cilën ju e prodhoni me punë, me djersë, e merr nga xhepi juaj nëpërmjet ligjeve, nëpërmjet VKM, nëpërmjet tatimorit etj... dhe e fut te xhepi i vetë”, tha Pano Soko.
(A2 Televizion)