Zbutja e toneve të Sali Berishës kundrejt SPAK pas arrestimit të Erion Veliajt, nuk zgjati as një javë. Dashuria e njëkahshme e kryedemokratit u shuajt shpejt kur kuptoi se ndjenjat duhej të ishin reciproke.
“Një prokurori që arreston 3 liderët politikë, të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera”, tha Berisha.
Plani i ri është kthimi te plani i vjetër, ose thënë ndryshe, zëvendësimi i SPAK me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ngritur pikërisht në kohën kur Berisha ishte kryeministër.
“Shqipëria ka patur një Prokuroi të Krimeve të Rënda e cila ka vendosur para ligjit 1050 anëtarë të 204 organizatave dhe grupeve kriminale. Një prokurori në të cilën mandatet e arrestit nuk shiteshin në avancë, por ekzekutoheshin në 95% të tyre. Një prokurori e cila kishte kërkuar nga gjykata në shumë raste dënime për jetë dhe ishin dhënë dënime të tilla. Që i liroi Edi Rama”, tha kreu i PD-së.
Pasi gjeti dakordësinë e Edi Ramës se amerikanët janë tërhequr nga mbështetja për SPAK, edhe Sali Berisha përdori gjuhën kryeministrore të kritikave konstruktive.
“Ata që duan të mendojnë se vërejtjet e mia për Skrapin e partisë kanë të bëjnë me, jo jo, kanë të bëjnë pikërisht për një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, Rama mobilizoi miliona për të siguruar një foto me zëvendës presidentin amerikan Vance por nuk ia doli. (A2 Televizion)