Pas dy seancave të shtyra në GKKO, sot pritet të zhvillohet e treta, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Dy seancat e shkuara janë shtyrë për shkak të kërkesës së avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, kërkesë kjo e rrëzuar nga Apeli, por edhe pasi kanë kërkuar më shumë kohë për t’i njohur me provat e reja, që e shtynë SPAK të kërkojë një masë më të rëndë sigurie.
Berisha ka thënë se ky është një gjyq politik, por që nuk do e ndalë atë në aksionin opozitar, ku ka paralajmëruar protesta edhe më të mëdha se ato që ka organizuar deri më tani, e fundit një ditë më parë.
SPAK akuzon se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Berisha i hodhi poshtë akuzat për “korrupsion pasiv” si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.
(A2 Televizion)