"Për fat të keq, edhe Gjykata e Lartë vijon të mbetet në direktivat e qeverisë.” Ishte kjo përgjigja e Belind Këlliçit, i pyetur vendimin e sotëm sa i përket vulës së Partisë Demokratike, çështje kjo që u kthye në Apel.
I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, Anëtar i Kryesisë së PD-së së Rithemelimit theksoi megjithatë, se tashmë njihet i gjithë aktiviteti i PD-së pas 11 dhjetorit.
“Njihet statuti i ndryshuar, logoja e ndryshuar. Kuvendi i 11 dhjetorit dhe të gjitha vendimmarrjet e tij. Referendumi i shkarkimit të Lulzim Bashës.”
Këlliçi theksoi se tashmë do të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit dhe për çdo rast do të ndiqet rruga ligjore. Ai gjithashtu nënvizoi se fakti që është ndryshuar trupa gjykuese do të thotë se janë konstatuar shkelje.
Ndërsa, sa i përket protestës së sotme, Këlliçi tregoi se sot u bë edhe akti i parë të mosbindjes civile.
“E njoftuam policinë prej dy ditësh që do të bëhet protesta. Jo vetëm që nuk na lanë të instalonim podiumin, por nuk kishin marrë masat për të bllokuar aksin ku do të bëhej protesta. Drejtuesit e automjeteve u irrituan.”
Kujtojmë se e mërkura ishte një ditë e ngjeshur, me zhvillime në dyert e drejtësisë me personazhet e Familjes Berisha dhe fatin e vulës së PD.
Shkëlzen Berisha ishte që në mëngjes në GJKKO ku dëshmoi në çështjen e Gërdecit. Sali Berisha me mbështetësit e tij protestuan para Gjykatës së Lartë në prag të vendimit për vulën e PD-së.
Berisha akuzoi se kjo gjykatë është në duart e Ramës, u ul në shesh dhe marshoi para godinës së Partisë Socialiste, në Bulevard dhe rrugëtoi tek selia blu. Atje priti edhe vendimin. Gjykata e Lartë e zhbëri vendimin e Apelit dhe e ktheu këtë çështje për shqyrtim po në këtë gjykatë.
(A2 Televizion)