"Abuzoi me detyrën", PD: Nënkryetarja Ristani të largohet, prokuroria ta hetojë

Nga A2 CNN
8 Qershor 2025, 14:08 | Politikë

Partia Demokratike kërkoi nga Prokuroria të hetojë për shpërdorim detyre nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila është njëkohësisht edhe e komanduar si kryetare e institucionit. Sjelljen e saj me mediat, demokratët e cilësojnë si të papranueshme dhe në shkelje të etikes, ndaj kërkojnë largimin e saj.

“Me zë dhe me figurë pamë sesi jo vetëm nuk mbahej përgjegjësi nga ana e Kryetares se Komanduar për shkeljen e rëndë të kryer në vazhdimësi duke përdorur padrejtësisht mjetet e Bashkisë për interesa personale të saj dhe të të afërmve të saj, por pamë edhe sulmin e saj aspak etik, madje edhe me nota të larta nervozizmi edhe tone tejet kërcënuese ndaj gazetarëve të cilët po bënin detyrën e tyre. Sipas pamjeve të publikuara, sjellja e kryetares së komanduar në krye të Tiranës, përbën abuzim me detyrën, shfrytëzim të pasurisë shtetërore për përfitime familjare dhe shkelje të rëndë të etikës së funksionarit publik.

Partia Demokratike i bën thirrje organeve të prokurorisë të fillojnë hetimet mbi denoncimin e kryer. Gjithashtu, në emër të këshilltarëve të opozitës, kërkoj që pasnesër, ditën e martë mbasdite në të cilën është planifikuar të zhvillohet mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak, në rendin e ditës të shtohet një pikë mbi llogaridhënien administrative nga ana e znj. Ristani dhe gjithashtu, Partia Demokratike kërkon largimin e menjëhershëm të znj. Ristani nga detyra e kryetares së komanduar dhe njëkohësisht edhe shkarkimin e Veliaj një orë e më parë nga Këshilli i Ministrave”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos