Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat pas kthimit nga Brukseli ka deklaruar se raporti i fundit i Parlamentit Europian e rrëzon plotësisht procesin zgjedhor në Shqipëri dhe ekspozon qartë mungesën e shtetit ligjor, përqendrimin e pushteteve dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes.
Sipas tij, për këtë arsye Partia Socialiste ka zgjedhur të mos e përmendë më këtë raport, duke u përpjekur fillimisht ta paraqesë si sukses dhe më pas ta injorojë tërësisht.
“Raporti ishte i ndershëm dhe për herë të parë në histori, në pesë rreshtat e parë, përmbysën zgjedhjet,” tha Berisha.
Ai shtoi se, ndonëse raporti njeh administrimin profesional dhe konkurrencën formale, theksohet qartë pabarazia në garë, përdorimi i shtetit për qëllime elektorale dhe mungesa e balancave institucionale.
Berisha po ashtu akuzoi qeverinë për manipulim të opinionit publik, duke shtuar se në raport nuk përmendet askund mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2027.
“Ata mashtruan qytetarët duke thënë se Shqipëria do të anëtarësohej në BE në 2027. Në fakt, raporti vetëm mirëpret ambicien e qeverisë, por rikujton se negociatat zgjasin aq sa është e nevojshme për zbatimin e reformave të thella,” theksoi ai.
Në vijim, Berisha citoi pjesë nga raporti, duke theksuar se Parlamenti Europian denoncon përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme, mungesën e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sulmet ndaj gazetarëve, dhe dhunën verbale nga zyrtarët e qeverisë, përfshirë ministren Olta Xhaçka.
Ai theksoi se raporti ngre alarmin për mungesën e transparencës dhe përgjegjshmërisë në qeverisje, dhe i bën thirrje Shqipërisë të forcojë shtetin e së drejtës, të luftojë korrupsionin dhe të respektojë të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik.
“Prandaj nuk e përmendin më raportin. Sepse ai është një pasqyrë e gjendjes së mjerueshme ku e kanë zhytur vendin,” përfundoi Berisha. (A2 Televizion)