Nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë ku besohet se ndodhet aktualisht ish-Presidenti i arrestuar, Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi akuzoi SPAK-un si organizatë terroriste.
Ai tha se ndalimi i kreut të PL është “një akt i mirëfilltë terrorist nga kryeterroristi Altin Dum Dumani”. Madje Blushi e cilësoi kreun e Prokurorisë së Posaçme si Osmah Bin Laden i drejtësisë shqiptare.
“Asnjë akuzë nuk qëndron nga ato që fabrikon kjo strukturë terroriste në media. Kemi të bëjmë me akt të mirëfilltë terrorist nga krye terroristi, Bin Ladeni i drejtësisë shqiptare, Altin Dum Dumani. Ka guxuar sot të marrë peng ish-Presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kam edhe një mesazh për ata horra me kapuç të zinj sot, që guxuan të vënë dorën mbi Presidentin e Partisë së Lirisë, e kanë personale me ne. Sepse mënyra dhe akti kriminal i paligjshëm dhe terrorist i një strukture terroriste që tenton të eliminojë opozitën do të marrë një përgjigje shembullore”, tha Blushi.
Në vijim, Blushi deklaroi se Meta është arrestuar pasi i ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, për disa çështje të rëndësishme që cenonin sovranitetin e Shqipërisë, siç është çështja e Detit me Greqinë.
“Arsyeja e ndalimit të Presidentit Meta nuk është një, janë disa. Është çështja e detit me Greqinë, është mbrojtja që i ka bërë sovranitetit të Shqipërisë, është mbrojtja që i ka bërë çështjes kombëtare dhe lufta e tij me bandën e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Këta kriminelë dhe terroristë do të trajtohen si armiq dhe do të marrin përgjigjen pa mëshirë nga opozita e bashkuar”, u shpreh Blushi, citon A2.
Sekretari i PL pati rezerva të forta edhe për mënyrën si u bë ndalimi i Metës, i cili u vu në pranga nga agjentë të BKH-së te Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Sipas Blushit ndalimi është bërë nga njerëz të armatosur e me maska të zeza që nuk janë identifikuar, shkruan A2.
“Nuk mund të ndodhë në asnjë vend demokratik ato skena të fëlliqura që pamë sot, të filmuara nga struktura kriminale që është SPAK-u. Sepse ai ndalim sot kriminal, nga njerëz me kapuça të zinj që ndalojnë në mes të ditës, në mes të rrugë ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, pa u identifikuar, sepse kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina. Persona të maskuar dhe të armatosur, kriminelë që janë prezantuar në emër të SPAK-ut”, deklaroi Blushi.
(A2 Televizion)