Një dokument i vitit 1990 me firmën e Arben Krajës si hetues i regjimit komunist, është një arsye më shumë për Sali Berishën kundër prokurorit të SPAK, të cilit i kërkon largimin nga radhët e Prokurorisë së Posaçme.
Shkresën e përdor si provë të amnistisë që, sipas Berishës, Prokuroria e Posaçme po i bën Edi Ramës dhe Erion Veliajt për dosjen e inceneratorit të Tiranës.
“Arben Kraja, ish-hetuesi xhelat i Sigurimit të Shtetit, që ka dënuar dhe në vitin 1990, një të ri në Shkodër për fajin e vetëm se nuk pranonte moralin komunist”, tha Berisha.
Prokurorin tjetër të dosjes, Dritan Prençi, e akuzoi si të përfshirë në çështjen McGonigal.
“Prokurori tjetër Prençi, një mik i njohur i McGonigalit, nuk mund të hetonte kurrë pasi lidhjet e tij me Zoton, të strukturuara, nuk lejonin hetimin e aferës së shekullit nga Prençi”, shtoi ish-kryeministri.
Kreu i Rithemelimit pohoi se opozita ka marrë kosto me denoncimet e kësaj dosje, por premtoi se nuk do ndalen deri në zbardhjen e plotë të çështjes. Me bindjen se opozita pa ndihmën e qytetarëve nuk mund të arrij rezultatet e kërkuara, Berisha thirri edhe njëherë popullin në protestë, por këtë herë përpara SPAK-ut.
“Zgjidhja vjen nga protesta juaj, të dashur qytetarë, para këtij institucioni”.
I pyetur nga A2 CNN se kur parashikohet të zhvillohet kjo protestë dhe do jetë ai udhëheqësi i tubimit, Berisha u tregua i rezervuar.
“Vetëm qytetarët mund ta zgjidhin këtë. Ne nuk mund të pranojmë të shkelmohen në mënyrë flagrante interesat e këtyre njerëzve që po largohen të vjedhur gjer në palcë. Për dijeni, protestohet në gjithë botën para padrejtësive të organeve të drejtësisë. Siç gjykohet. Por kësaj here ne kemi fakte. Thirren të protestojnë në mbrojtje absolute të një interesi publik”, u shpreh Berisha.
Nuk dha detaje për strategjinë që do të ndjekë nëse do të arrestohet, por Berisha garantoi se do të vijojë të drejtojë opozitën. (A2 Televizion)