Arrest për shefen e SHISH, PD akuzon për cenim të sigurisë kombëtare, PS krenare për shtetin

Nga Indrit Maraku
22 Shtator 2026, 15:12 | Politikë

Komisioni i Sigurisë u mblodh vetëm pak orë pas lajmit të masës “arrest shtëpie” dhënë ndaj shefes së Shërbimit Sekret dhe thirrjes në SPAK të ish-kreut të Policisë. Demokratët gjetën konfirmim për denoncimet e tyre të kahershme.

“Është rast i paprecedentë që shefja e SHISH-it të jetë e lidhur me grupe të strukturuara kriminale dhe të marrë informacionet e shtetit për t’ua shitur atyre. Problemi ku është? Kjo zonjë s’e ka për herë të parë. Për të njëjtën çështje është larguar nga Kosova”, tha deputeti i PD Klevis Balliu, pwrcjell A2 CNN.

Socialistët i qëndruan parimit të përgjegjësisë individuale dhe prezumimit të pafajësisë. “Më shumë se kurrë, sot duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet që funksionon, ku pushtetet brenda Republikës janë plotësisht të pavarura dhe balancojnë njëra-tjetrën”, tha kryetari i komisionit, Bledi Çuçi.

“Të shesësh informacion te bandat është tmerr. Bëjani të qartë Kryeministrit tuaj që shefi i Shërbimit Sekret... nëse ju dëgjon, por thojani... duhet të jetë një njeri që të paktën të ketë atdhedashuri”, tha deputeit i PD, Isuf Çela. “Pa diskutim, kjo është ngjarje që nuk është e zakonshme dhe duhet ta trajtojmë me qetësinë e duhur këtë situatë”, iu përgjigj Çuçi.

Pavarësisht krenarisë së shprehur si kryetar i Komisionit të Sigurisë, ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u detyrua të pranonte anormalitetin e ngjarjeve, rast për të cilin një tjetër ish-ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kishte krejt tjetër lexim. “Ne e shohim në vendin kampion të demokracisë, në SHBA. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar, për një shtet të së drejtës”, tha ai.

Edhe në Komisionin e Mbikëqyrjes Parlamentare nuk munguan debatet.

“Si mundet që institucioni më i rëndësishëm i sigurisë të ketë në krye një person të lidhur mëngjes, drekë, darkë me krimin e organizuar dhe nuk dihet çfarë bën me të dhënat? Kemi të bëjmë me cedim total të institucioneve të shtetit. Dhe sot, minimalisht, duhet të kishte pasur dorëheqje, duke filluar nga Kryeministri”, tha deputeti i PD, Ivi Kaso.

“Tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve. E kundërta do të ishte e vërteta, atë që kemi parë për 30 e ca vjet në këtë vend. Kjo që shohim sot është ajo që ndodh rëndom në botën normale”, tha Xhafaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos