Arrestimi i drejtoreshës së Postës në Durrës, Bylykbashi: Tregon modelin kriminal të qeverisjes socialiste

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 15:48 | Politikë

Arrestimi i drejtoreshës së Postës në Durrës,

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, ka reaguar pas arrestimit të drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj. Në një postim në rrjtete sociale, Bylykbashi thekson se arrestimi i Matajt, e akuzuar për vjedhjen e rreth 700 mijë eurove nga fondet e pensioneve, është dëshmi e modelit të qeverisjes socialiste. Ai theksoi se Mataj ishte emëruar në këtë detyrë në shtator 2025 dhe është gjithashtu këshilltare bashkiake e PS-së. Bylykbashi përmendi edhe bashkëshortin e saj, Fetah Mataj, koordinator i PS-së në Porto Romano, për të cilin sipas tij PD ka bërë një sërë denoncimesh për korrupsion zgjedhor. Bylykbashi thekson se kjo tregon pandëshkueshmërinë dhe modelin e promovimit politik përmes shitblerjes së votës, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë deri në fund çështjen.

Postimi i Oerd Bylykbashit:

Në shtator 2025 Elisabeta Mataj u emërua drejtoreshë e filialit të Postës në Durrës.

Në korrik 2026, vetëm 10 muaj pas emërimit, arrestohet me akuzën se ka vjedhur 700 mijë euro nga fondet e pensioneve.

Ndërkohë, është këshilltare bashkiake e PS-së, e zgjedhur në vitin 2023, pra ngre dorën për të masakruar buxhetin dhe taksat e durrsakëve.

Një CV që tregon një model qeverisjeje kriminale. Por ka akoma më shumë.

Bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, është koordinator i PS-së në zonën e Porto Romanos në Durrës, emër që qarkullon vetëm në kohë zgjedhjesh. Nuk numërohen denoncimet për të nga PD-ja për korrupsion zgjedhor apo, më troç, shitblerje votash.

Më i fundit, në zgjedhjet e 11 majit 2025, në SPAK. Rregullisht i çliruar nga akuzat. Sipas asaj që tha SPAK-u në Parlament, nuk gjetën prova për denoncimet e PD-së.

Por nuk ka njeri në zonë që nuk ia di bëmat. Si shpërblim, merr familjarisht poste shtetërore drejtuese.

Ky është shembulli më i qartë i modelit socialist të zgjedhjeve dhe karrierës: bli vota dhe patronazho, se promovohesh.

Por ky është modeli që nxjerr zbuluar pandëshkueshmërinë, e cila është themeli i modelit të shitblerjes industriale të votës:

Mosdënimi sistematik.

SPAK-u thotë se ndjek paranë për të gjetur autorët e krimit.

Tani pistën e ka dhe nuk ka më justifikim.

Pikërisht për këtë model kriminal qeverisjeje ka protestuar PD-ja dhe opozita prej 13 vjetësh, dhe për këtë jemi në muajin e dytë të një proteste të përditshme qytetare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos