Pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në seli ka nisur një mbledhje urgjente, shkruan A2 CNN. I pari që u drejtua në seli ishte nënkryetari Patraq Milo, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi shkoi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës, bashkë me avokatin Genc Gjokutaj.
Arrestimi i Metës ndodhi në hyrje të kryeqytetit pranë kthesës së Kamzës. Meta u ndal nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bashkëpunuar me Policinë e Shtetit teksa lëvizte me makinë, shkruan A2 CNN.
Meta ka qenë nën hetim për disa muaj, me akuzat që lidhen me një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastrimin e dyshuar të parave. Dyshimet përfshijnë edhe kallëzime për shpenzime të paligjshme, përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit nga anëtarë të familjes së tij.
Në të kaluarën e tij, Meta ka mbajtur pozicionet më kyçe në shtetin shqiptar, duke përfshirë detyrat e Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës. Arrestimi i tij shënon një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Marrëdhëniet e Meta-s me SPAK kanë qenë të tensionuara. Ai ka pasur përplasje publike me kreun e SPAK, Altin Dumanin, duke e akuzuar strukturën për manipulime politike dhe zbatim urdhrash nga kryeministri aktual, Edi Rama.
Meta ka paraqitur deklarime në SPAK për disa çështje, përfshirë ato që lidhen me mosdeklarimin e pasurisë dhe korrupsionin. Ndërkohë, shoqëria shqiptare pret një konfirmim zyrtar nga SPAK për akuzat e sakta që rëndojnë mbi të.
Nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të policisë ku besohet se ndodhet aktualisht ish-Presidenti i arrestuar, Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi akuzoi SPAK-un si organizatë terroriste.
Ai tha se ndalimi i kreut të PL është “një akt i mirëfilltë terrorist nga kryeterroristi Altin Dum Dumani”. Madje Blushi e cilësoi kreun e Prokurorisë së Posaçme si Osmah Bin Laden i drejtësisë shqiptare.
“Asnjë akuzë nuk qëndron nga ato që fabrikon kjo strukturë terroriste në media. Kemi të bëjmë me akt të mirëfilltë terrorist nga krye terroristi, Bin Ladeni i drejtësisë shqiptare, Altin Dum Dumani. Ka guxuar sot të marrë peng ish-Presidentin, ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Parlamentit. Kam edhe një mesazh për ata horra me kapuç të zinj sot, që guxuan të vënë dorën mbi Presidentin e Partisë së Lirisë, e kanë personale me ne. Sepse mënyra dhe akti kriminal i paligjshëm dhe terrorist i një strukture terroriste që tenton të eliminojë opozitën do të marrë një përgjigje shembullore”, tha Blushi. (A2 Televizion)