Vendimi refuzues ndaj kërkesës së Ilir Meta për të shfuqizuar vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për lënien e tij në burg nuk ishte unanim.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese argumentuan se në çështjen penale ndaj Metës duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindin një vëzhgues të jashtëm se ish-presidenti mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet.
Në këtë linjë, Kushtetuesja arsyetoi se masa e sigurisë “arrest në burg” ishte vendosur për një qëllim të ligjshëm, mbarëvajtjen e procesit penal ndaj tij, dhe se është proporcionale në lidhje me nevojat e sigurimit.
Pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta ka shteruar çdo mjet juridik brenda vendit për të rrëzuar masën “arrest në burg”. Dalja me vendim edhe e kësaj gjykate i lë atij të hapur mundësinë, nëse e zgjedh, për të “trokitur” në Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. (A2 Televizion)