Çështja e presidentit, LVV: Kurti do të intensifikojë përpjekjet për zgjidhje

Nga Ideal Gola
8 Prill 2026, 19:33 | Kosova

Parlamenti i Kosova ka më pak se tri javë kohë për të zgjedhur presidentin e ri, por partitë duken larg një ujdie.

Lëvizja Vetëvendosje premton se ditëve të ardhshme do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, ndonëse nga vendimi i Kushtetueses është mbajtur vetëm një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Besoj se gjatë këtyre ditëve do të intensifikohen përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike e Kosovës po refuzon deri më tani një takim me Kurtin, duke kërkuar që t’ia dërgojë në formë të shkruar ftesën dhe opsionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“LVV dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që LVV-ja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar.”

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se është përgjegjësi e mazhorancës që të sigurojë votat, duke kërkuar që të bëhen diskutime më intensive me të gjithë akterët.

“Për t’i mënjanuar zgjedhjet dhe për t’i dhënë zgjidhje vendit dhe institucioneve të Kosovës, duhet që seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president.”

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila tashmë ushtron edhe funksionet e presidentes së vendit, kërkoi nga partitë që të gjejnë vullnetin për një zgjidhje dhe të shmangen zgjedhjet.

“Urojmë që t’i lëmë anash të gjitha dallimet dhe të jemi bashkë që ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit. Uroj që të mos vijë situata që, si ushtruese e detyrës së presidentes, të shpall datën e zgjedhjeve.

Deklaratat u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku është ftuar një seancë për të premten.

Por Kryesia dështoi të miratojë rendin e ditës, pasi PDK insiston që rezoluta e saj, e paraqitur edhe në seancën e kaluar, të jetë pikë e parë e rendit të ditës.

Rezoluta e PDK-së është për mbrojtjen e të vërtetës së luftës dhe dinjitetit të viktimave, pas një ekspozite në Prishtinë që nxiti reagime të ashpra, ku kishte pasaktësi për masakrat e ndodhura në vitet ’98–’99.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos