Marrëveshja e anëtarësimit të Kosova në Bordin e Paqes ende nuk është sjellë para deputetëve për miratim në Parlament.
Presidentja Vjosa Osmani i kishte kërkuar Kuvendit ratifikimin, por pavarësisht se gjatë kësaj kohe kanë kaluar disa marrëveshje ndërkombëtare, ajo për Bordin e Paqes ende nuk ka gjetur hapësirë.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se ka ngarkuar Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme që ta shqyrtojë atë dhe në javët në vijim do të sillet për miratim.
“Duke pasur parasysh që është një marrëveshje e rëndësishme, nuk pres që të ketë kundërshtime në raport me të njëjtën. Prandaj, kurdo që komisioni ta përfundojë punën, natyrisht që do të trajtohet në seancën plenare.”
Presidentja Vjosa Osmani deklaroi ditë më parë se pret që marrëveshja e anëtarësimit të marrë 110 vota “për”.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen, por kërkuan që dokumentet të sillen në Parlament.
“Duhet t’i sjellin Kuvendit sa më parë instrumentet e anëtarësimit për miratim, sepse nuk është thjesht vetëm miratimi i anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes; janë edhe një varg marrëveshjesh sekondare që burojnë nga anëtarësimi ynë në Bordin e Paqes, të cilat kërkojnë miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
“Ne, në parim, e kemi mbështetur dhe të qenit pjesë si shtet, por për aq kohë sa nuk kemi marrë një dokument të tillë në dorë, do ta shqyrtojmë me kujdes dhe do të shohim edhe implikimet që ka kjo marrëveshje për qytetarët e Kosovës, por edhe për vendin tonë.”
Në emër të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani kishte firmosur aktin si shtet themelues të Bordit të Paqes më 19 shkurt.
Parlamenti do të mblidhet edhe ditën e premte, ku do të shqyrtojë katër marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
(A2 Televizion)