Termometri këtë të premte arriti në 40 gradë celsius, por Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk e ndalën protestën para bashkisë së Tiranës.
Opozitarët premtuan se kushtet e motit nuk do jenë shkak për të ndërprerë këtë tubim, i cili ishte i 13-ti në radhë.
“Erjon Veliaj këtë herë sharra të ka ngelur në gozhdë. Ne kësaj kauze do t’i shkojmë deri në fund sado të nxehta të jenë temperaturat,” deklaroi Këlliçi.
Teksa i bëri thirrje SPAK që të veprojë, Këlliçi pohoi se shumë shpejt do të publikojë dokumente të tjera që sipas tij faktojnë korrupsionin e Veliajt.
“Të nxehta dhe përvëluese do të jenë edhe dokumentet e reja. Nëse ka një tentativë të SPAK-ut për të amnistuar Erjon Veliajn pa merak se kemi dokumente për ta mbajtur çështjen hapur sa të doni ju ne këtë çështje nuk e dorëzojmë.”
Edhe në këtë tubim nuk munguan molotovët, por për shkak të temperaturave të larta protestuesit nuk tentuan në asnjë moment përplasjen me policinë.
Ky tubim zgjati edhe më pak në kohë, pasi organizatorët njoftuan mbylljen më herët me premtimin se të premten e ardhshme do të mblidhen sërish. (A2 Televizion)