“Askush tjetër nuk e bën bashkë PD dhe opozitën veç Berishës”, Mediu flet dhe për vizitën në Kiev

Nga A2 CNN
27 Gusht 2025, 19:33 | Politikë

“Askush tjetër nuk e bën bashkë PD dhe opozitën

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i ftuar në ditarin e mbrëmjes në A2 CNN ku foli rreth qëndrimit të opozitës në shtator dhe sesionit të ri parlamentar.

Mediu u shpreh se duhet bërë një analizë për zgjedhjet e majit, pas raportit të ODIHR, teksa zërave për largimin e Berishës iu përgjigj se momentalisht nuk ka asnjë figurë që mund të përbashkojë PD dhe opozitën në tërësi përveç tij.

“Për të bërë një analizë të zgjedhjeve, duhet një raport i ODIHR. PD duhet të bëjë analizën se kush ishin problemet. Për rregullat brenda PD nuk e gjykoj unë. Nëse kërkohet të largohet Berisha, nuk mendoj se ka një autoritet që mund ti bashkojë në një front të vetëm. Nuk mund të kryejmë vetëvrasje sepse do ringjallemi si Krishti. Sa i nxehtë do të jetë shtatori, unë mendoj se opozita duhet të jetë e mëncur për të krijuar një bindje të qytetarët dhe faktori opozitar. Kemi diskutuar një plan veprimi… Ne jemi në një koalicion me PD, po të futeshin dhe partitë e tjera rezultati do të ishte dhe më i mirë”, tha Mediu.

Më tej, kreu i PR foli dhe për vizitën e zhvilluar së fundmi në Kiev dhe zhvillimet pas takimit me Trump dhe Putin në Alaskë.

“Grupi “United for Ucraine” është krijuar mbas agresionit dhe kishte si një qëllim të angazhimit të diplomacisë parlamentare për të mbështetur Ukrainën. Vizita në Ukrainë kishte qëllim njohjen e qëndrimit të Kievit pas takimit të Alaskës dhe çfarë mund të bëhej. Takuam presidentin Zelensky dhe shumë zyrtarë të lartë dhe morëm një qëndrim të qartë.

Ne patëm një ftesë në ambasadën amerikane dhe aty ishte dhe gjenerali Kellog, ai tregoi për pritshmëritë dhe qëndrimin amerikan, pa hyrë në detaje, në bindjen që presidenca Trump për të arritur një marrëveshje me Rusinë ishte në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Ai nuk ishte vetëm për ditën kombëtare të Ukrainës, por edhe për të negociuar me Zelenskyn për zhvillimet në Uashington. Janë disa grupe që punojnë dhe ministri i Jashtëm do të shkojë shumë shpejt në Uashington për të diskutuar me Rubion. Zyrtarët ukrainas e bënë të qartë se janë kundër lëshimit të territoreve.

Trump është i angazhuar për një proces paqeje. Më bëri përshtypje që ka një ndryshim pozitiv dhe një jetë normale në Kiev. Bizneset funksiononin, por vinin ato paralajmërimet”, deklaroi Fatmir Mediu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos