“Qeveria e re me mercenarë nga PD”, demokrati: Opozita nuk duhet të hyjë në Kuvend, e pamoralshme

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 19:48 | Politikë

“Qeveria e re me mercenarë nga PD”, demokrati: Opozita nuk

Demokrati Lisandër Hoxha, nga studioja e A2 CNN me gazetaren Bruna Çifligu,  kërkoi që demokratët të mos hyjnë në parlamentin e ri pasi kjo gjë do të ishte e pamoralshme dhe për qëndrimet që PD ka mbajtur se zgjedhjet ishin të vjedhura.

Ai shtoi se drejtuesit duhet të thërrasin popullin në rrugë pasi të gjitha mënyrat e tjera demokratike kundër kësaj qeverie janë ezauruar.

“E shikoj të pavend që të shkosh në këtë sesion parlamentar kur tjetri të vjedh zgjedhjet po ti thua po shkoj dhe po e luftoj aty. Për mua PD i ka ezauruar të gjitha rrugët e saj që prej 2013 dhe duhet të mbajë qëndrim koherent sa i përket mosnjohjes së parlamentit. Duhet bërë koherencë me qëndrime politike. Më 10 shtator, kur të hapet sesioni, PD nuk duhet të jetë dekor, por të thërrasë popullin në rrugë dhe të mos lejojnë Ramën të marrë mandatin e katërt”, tha Hoxha.

Më tej, ai shtoi se qeveria e re Rama 4 pritet të ketë emra mercenarësh nga PD.

“Rama këto ditë do të dalë dhe do të përpiqet të shesë një qeveri ylber përtej të majtës dhe të djathtës, ka gjetur ca mercenarë që gjoja kanë qenë me PD. Duhet të bëjmë çmos për një shtet normal, ky nuk është normal, ky shtet të shkel, nuk ka gjykata, nuk ka ushqime. Ka shumë njerëz që iu konvenon të bëjnë një hap majtas. Qytetarët duhet t’i përfaqësoj dikush. Dhe këtë duhet ta bëjë me vepra dhe jo deklarata”, tha Hoxha për Bruna Çifligun. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos