“Buxheti i ri që do të votojmë është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse dhe dritarja ku shihet shumë qartë drejt destinacionit historik”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në kuvend në seancën maratonë ku diskutohet buxheti i vitit 2025. Sipas kreut të qeverisë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme do t’i japin Partisë Socialiste gjykimin më të mirë historik ndërsa kundërshtarëve më të merituarin.
“Shqipëria që ne duam po bëhet hap pas hapi shkallë pas shkale po e ngjisim në majën e 2030, ku gjendet oborri i familjes europiane, ku flamuri ynë do të rreshtohet krah atyre të Europës. Rruga është ende e përpjetë, po Shqipëria që duam nuk është më një realitet i padukshëm, por një destinacion i prekshëm me sy dhe i arritshëm me më shumë punë në të vetmen forcë udhëheqëse e cila quhet Partia Socialiste. PS ka një virtyt gjithmonë e më fort dëgjon, duron, lufton dhe në momentin e e duhur ua kthen të tëra ashtu siç i meritojnë. Buxheti i parë që votuam në këtë sallë ishte pasqyra e një trashëgimie të errët qeverisëse dhe dritarja e një dite të re që nuk ishte zbardhur akoma dhe buxheti i ri që do të votojmë është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse dhe dritarja ku shihet shumë qartë drejt destinacionit historik dhe për këtë destinacion historik shqiptarët pranverën e ardhshme do të japin një gjykim që do të jetë më i miri historik për PS dhe më i merituari historik për këto mbeturina të një kohe që nuk do kthehen më kurrë”.
Teksa përmendi bonuset për pensionistët dhe bebet e porsalindura, kreu i qeverisë premtoi asnjë ndryshim taksimi për biznesin e vogël deri në fund të mandatit të katërt tha ai.
“Kemi financuar mbi 145 mln euro për bebet e porsalindura dhe 22 mln euro të tjera janë në buxhetin e ri për bebet që do na gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë 2025. Kemi ulur borxhin publik me 15 pikë përqindje dhe për të ardhur deri këtu na u desh ta rirrisnim borxhin dy herë kur u goditëm nga tërmeti e pandemia. Zero taksë e zero Tvsh për biznesin e vogël deri 100 mijë euro xhiro. Zero taksë për biznesin me 140 mijë euro xhiro. Ndërkohë që biznesi me 30 mijë euro xhiro paguante taksë. Jemi zotuar se deri në fund të mandatit të katërt asnjë ndryshim të taksimit të biznesit të vogël nuk ka në mandatin e ardhshëm. Nuk i kemi rritur taksat për biznesin, gjatë gjithë qeverisjes sonë rritja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimi i të ardhurave të shtetit na kanë mundësuar rritje pagash domethënëse”.
Sipas Ramës, “në buxhetin 2025 fondi i pagave është më shumë se dyfishi, 31 miliardë euro. Nga një pagë minimale 156 euro, kemi sot 400 euro. Kemi pagë mesatare 751 euro”.
Rama iu përgjigj edhe akuzave që qeveria e tij nuk mbron shtresat në nevojë. Sipas tij është dyfishuar fondi për mbrojtjen sociale në krahasim me vitin kur morën drejtimin e vendit.
“Të gjitha të rritura dyfish e gjysmë. E dëgjoj shpesh që ne nuk i mbrojmë shtresat në nevojë por çfarë thotë buxheti 2025? Nga 122 miliardë lekë për mbrojtjen sociale kur nisëm rrugën tonë, këtë vit kishim 238 miliardë dhe në buxhetin 2025 kemi 248 miliardë. Edhe këtu jemi mbidyfishin me afro 2.5 miliardë euro për mbrojtjen sociale. Po t’u shtosh bonusin e pranverës do të jenë edhe më shumë. Shqipëria sot ka dalë mbi ujin ku ishte zhytur prej dekadash dhe është pranë realizimit të ëndrrës europiane. Shteti mbledh shumë më tepër të ardhura se dje për paga e trasformime për çdo sektor”. (A2 Televizion)