Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njoftoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
“Dua të informoj se grupi i PS do të institucionalizojë dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve të posaçme në Kuvend. I pari, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, traditë prej shumë vitesh që në fillim të çdo legjislature grupi i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore”, tha Balla, shkruan A2.
“Uroj shumë që komisioni të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në Kuvend, për të përmbyllur rekomandimet e OSBE/ODIHR ndër vite”, shtoi kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla u shpreh më tej se “ndër çështjet që duhet të adresojë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore me urgjencë mbetet rritja e transparencës së fushatave zgjedhore dhe të partive politike”.
“Mund t’ju them se është bërë punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar ndër vite. Ligji për financimin e partive politike bën pjesë në detyrat e shtëpisë dhe duhet realizuar brenda këtij sesioni. Çështja e dytë, ndoshta për disa duket si futuriste, por duhet adresuar në këto ndërhyrje të radhës që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Duhet të kemi nenet përkatëse ose draftin gati të Republikës së Shqipërisë sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve për PE, sepse në pritshmëritë tona po afrohet momenti ku duhet të ketë edhe anëtarët e vet në PE”, tha Balla.
“Nisma tjetër ka të bëjë me Komisionin e Posaçëm te Reformës Administrative Territoriale. Projektvendimi i Kuvendit duhet të ketë paritetin e përfaqësimit mes maxhorancës dhe opozitës. Të gjitha rekomandimet duhen parë në një kontekst më shumë se 10-vjeçar, për t’i hapur rrugë reformave të reja sa i përket rolit dhe ndarjes administrative territoriale”, theksoi më tej Taulant Balla.
(A2 Televizion)