Deputetja Ina Zhupa ka ndarë një mesazh urimi në nisjen e vitit të ri akademik, duke uruar një fillim të mbarë dhe suksese për studentët e pedagogët.
Zhupa e nis me shqetësimin se në krye të arsimit tashmë është Mirela Kumbaro që, sipas saj, ka shkatërruar publiken në emër të interesave të privatëve.
“Metodë që e nisi te Kultura, ku futi koncesionet në trashëgiminë kulturore dhe e vazhdoi po njëlloj te mjedisi, ku zonat e mbrojtura i ktheu në pika të vogla për oligarkët. Sot, universitetet janë të rrezikuara nga metoda të njëjta që mund të çojnë në shkatërrimin e publikes”, shkruan Zhupa.
Problemet janë të njëjtat, sipas deputetes demokrate Zhupa, që liston disa prej tyre si rënia e numrit të studentëve dhe boshatisja e shumë degëve me rëndësi strategjike për vendin; Kostoja e papërballueshme e jetesës për studentët, nga qiratë te ushqimi e transporti; Infrastrukturë e amortizuar dhe mungesë investimesh në laboratorë, kërkim shkencor dhe digjitalizim; Pedagogë që presin kushte më dinjitoze, pagesa të përshtatshme për detyrën që kryejnë dhe mbështetje për përmirësimin e cilësisë akademike.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Me nisjen e vitit të ri akademik, dua të uroj studentët dhe pedagogët një fillim të mbarë, me energji të reja dhe shumë suksese!
Në krye të arsimit është Mirela Kumbaro, e njohur për shkatërrimin e publikes në emër të interesave të klientëve. Metodë që e nisi te kultura ku futi koncesionet në trashëgiminë kulturore dhe e vazhdoi po njëlloj te mjedisi ku zonat e mbrojtura i ktheu në pikat të vogla për oligarkët. Sot univesitetet janë të rrezikuara nga metoda të njëjta që mund të cojnë në shkatërrimin e publikes.
Ndërkohë problemet e arsimit të lartë vazhdojnë të njëjtat dhe të thelluara vit pas viti:
Rënia e numrit të studentëve dhe boshatisja e shumë degëve me rëndësi strategjike për vendin;
Kostoja e papërballueshme e jetesës për studentët, nga qiratë te ushqimi e transporti;
Infrastrukturë e amortizuar dhe mungesë investimesh në laboratorë, kërkim shkencor dhe digjitalizim;
Mungesë lidhjeje të fortë midis universiteteve dhe tregut të punës;
Nevoja për më shumë transparencë dhe meritokraci në administrimin e arsimit të lartë;
Pedagogë që presin kushte më dinjitoze, pagesa të përshtatshme për detyrën që kryejnë dhe mbështetje për përmirësimin e cilësisë akademike.
Si deputete dhe si pedagoge nuk do rresht të kërkuari llogari, të kërkuari buxhete më të larta për arsimin, mbështetje për studentët, fonde për kërkimin shkencor dhe arsim cilësor që i përgjigjet nevojave të kohës. (A2 Televizion)