Presidenti Bajram Begaj uroi çeljen e vitit të ri akademik nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Në mesazhin e tij drejtuar studentëve dhe pedagogëve, Presidenti Begaj bëri apel që qasja ndaj arsimit të lartë në Shqipëri duhet t'i përshtatet ndryshimeve teknologjike dhe duhet të ketë si synim ndërtimin e një vendi më të drejtë, më të përparuar e më të zhvilluar, shkruan A2.
Kreu i Shtetit deklaroi para auditorit në këtë fillim të vitit të ri akademik se të rinjtë janë gjenerata e së ardhmes së Shqipërisë dhe se studimet universitare nuk duhet të synojnë vetëm një diplomë, por të shfrytëzohen si mundësi për dije, përkushtim dhe përgjegjësi.
“Arsimi i lartë nuk është vetëm një derë drejt një profesioni, por është çelësi për të kuptuar botën, për të marrë dije të thella që japin zgjidhje përballë sfidave”, deklaroi Presidenti.
Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës inkurajoi pedagogët të ofrojnë për të rinjtë mundësi për një arsim cilësor dhe studentët i këshilloi të investojnë dijet e tyre në Shqipëri për të qenë udhëheqësit e së ardhmes. (A2 Televizion)