Përfundimi i presidencës shqiptare të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore nuk prodhoi harmoni, por debate mes liderëve të vendeve anëtare.
Takimi i të hënës pasdite parashikonte diskutimet në nivel krerësh shtetesh ku ndasitë ndërmjet vendeve të rajonit nuk munguan, ku agjenda u shty me disa orë si pasojë e mosdakordësisë në deklaratën e përbashkët.
Shkak i kësaj përplasjeje kishte qenë qëndrimi refuzues i Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, përfaqësuesit e të cilës, ishin kundër kërkesës për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
“U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë”, tha Begaj.
Mosdakordësia mes Beogradit dhe Sarajevën nuk ishte vetëm Kosova, por edhe qëndrimet e hedhura në letër sa i takon agresionit Rus në Ukrainë apo konflikti më i fundit Izrael Iran, shkruan A2 CNN.
“Beogradi dhe Sarajeva kishin pretendimet e tyre për çështje të lidhura me sigurinë, por unë mendoj se siguria nuk është vetëm brenda shtëpisë sonë, siguria është një term dhe definicion më i përhapur, më i gjerë, dhe çfarëdo ndodh sot në botë është një rrezik për stabilitetin jo vetëm atje ku ndodh, por për të gjitha vendet e botës”, tha Begaj.
Në lidhje me shtetin Shqiptar, Bajram Begaj nënvizoi se politika e jashtme është 100% e linjëzuar me Bashkimin Europian. (A2 Televizion)