Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti sot në Tiranë kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Një vëmendje të veçantë në këtë samit Presidenti i Republikës i kushtoi tensioneve në Lindjen e Mesme, duke përcjellë mesazhin për gjetjen e rrugëve drejt paqes përmes angazhimit të palëve në përpjekje diplomatike. Konflikti i fundit mes Izraelit dhe Iranit përbën shqetësim dhe rrezik serioz me pasoja globale dhe Kreu i Shtetit deklaroi qëndrimin e vendit tona për zgjidhjen e kësaj situate.
Në fjalën e tij, Presidenti i bëri thirrje Iranit që të ndalë programet bërthamore e balistike, shkruan A2 CNN.
“Shqipëria shpreh shqetësimin për tensionet në rritje midis Izraelit dhe Iranit. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme e më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë e tij dhe mbrojtjen e qytetarëve. Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Iranit të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Shqipëria u bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale dhe përpjekje diplomatike për të çtensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme”.
Në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, që ka rikthyer në rajon shqetësimin dhe brishtësinë e paqes dhe përhapjen e paqëndrueshmërisë, Presidenti Begaj vlerësoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm çështje reformash, por edhe çështje e sigurisë evropiane.
Presidenti i Republikës, ndërsa foli për ritmin e shpejtë të reformave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, u bëri thirrje liderëve në samit që të avancohet me procesin e integrimit të përbashkët në BE: “Shpresa e anëtarësimit nuk duhet të zbehet në lodhje. Ajo duhet të mbetet një objektiv i përbashkët dhe një qëllim i prekshëm për të gjithë rajonin tonë. Ballkani Perëndimor ka një potencial të madh për rritje. Anëtarësimi në BE është më shumë se sa thjesht një proces. Është një udhëtim transformues. Sjell paqe. Sjell stabilitet. Sjell prosperitet. Por kërkon, gjithashtu, vullnet politik të palëkundur, si nga vendet aspirante, edhe nga vetë BE-ja”.
“Shqipëria, - theksoi Presidenti Begaj, mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të platformës së SEECP-së, duke rikonfirmuar angazhimin për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”. (A2 Televizion)