Parlamenti pa Berishën, demokratët i kërkojnë llogari Spiropalit: Pse u shty seanca?

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 16:39 | Politikë

Deputetët u rikthyen sërish në Kuvend këtë të hënë. Në axhendën e deputetëve ishte vetëm një p/ligj, ç’ka duket se nuk entuziazmonte parakalimin në orën 13:00 të drekës.  

Me mungesën e Sali Berishës në sallën e parlamentit, demokratët u shfaqën disi të shpërqendruar. Më shumë se te denoncimi i asaj që e quajnë farsë zgjedhore, u morën me agjendën e Spiropalit, duke i kërkuar llogari përse nuk i mblodhi të enjten e javës së shkuar. 

 “Do duhej që parlamenti të mblidhej të enjten dhe na thatë që jeni vizitë zyrtare në Ukrainë. Ne faktikisht duke ngrënë drekë në Greqi. Kjo është një arrogancë e shtuar dhe tregues se si po e trajtoni Kuvendin, si prone private”, tha Bardhi.

Por për Spiropalin këto akuza nuk qëndrojnë, pasi sipas saj shtyrja e seancës nuk u bë për shkak të mungesës së saj, por se shumë deputetë nuk do ishin të pranishëm. 

“Më vjen mirë që ndiqni aktivitetin tim në rrjete sociale. Por siç diskutuam në konferencën e Kryetarëve, seanca nga 12-16 nuk u shty për shkak të pjesëmarrjes time në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore por shumë deputetë kishte mungesa në aktivitete të tjera”, tha kryetarja e Kuvendit.

Demokratët nuk u kënaqen me shpjegimet e kryetares dhe tentuan që të vijonin këtë debat. Socialistët nga ana tjetër duket se ishin të vendosur për të diskutuar për rendin e ditës dhe pavarësisht kundërshtive nga opozita prezantuan ligjin për "Për performancën energjetike të ndërtesave".

Porositë e Berishës nuk i harroi Flamur Noka, që injoroi rendin e ditës dhe vijoi me denoncimin e 11 Majit. Retorika e demokratëve për zgjedhjet e 11 Majit nuk i shqetësoi deputetët e maxhorancës të cilët gjatë gjithë kohës qëndronin në celular. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos