SPAK i zbardh faqen integrimit, Komisioni Europian shënjestron politikanët që akuzuan Dumanin

Nga Ervin Koçi
16 Qershor 2025, 23:03 | Politikë

Në një dokument konfidencial, Komisioni Europian njofton vendet anëtare për progresin që ka bërë Shqipëria në sektorin e drejtësisë.

Fjalët e mira shkonin kryesisht për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, dhe çdo akuzë ndaj SPAK apo Dumanit, duket se ishte mbajtur shënim. Arrestimi i Erion Veliajt duket se është renditur krah arritjeve, ndërsa reagimet e mazhorancës dhe vetë Edi Ramës janë konsideruar kritika serioze.

“Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Posaçme SPAK në shkurt 2025, shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga degët ekzekutive dhe legjislative të pushtetit, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze”, thuhet në dokumentin e Komisionit Europian.

Të dhënat e Komisionit Europian nxjerrin në pah edhe mosveprimet e organeve ligjzbatuese në momente të caktuara kur vetë SPAK i ka kërkuar ndihmë, dhe një rast i tillë ishte tubimi i mbështetësve të Erion Veliajt, shkruan A2 CNN.

“SPAK publikoi dy letra ankese drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për dështimin në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjen e stafit të tij gjatë një proteste para godinës së SPAK”.

Mes çështjeve që duhet të adresohen, është rinovimi i mandateve në sistemin e drejtësisë, ku Komisioni Europain shpreh shqetësimin për mundësinë e krijimit të vakancave.

“Shqipëria duhet të sigurojë që rinovimet e pozicioneve të nivelit të lartë në sistemin gjyqësor në vitin 2025, veçanërisht emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të realizohen në kohë dhe mbi bazë merite”.

Krahas goditjes së korrupsionit, Komisioni Europian vlerëson SPAK edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimit të aseteve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos