Ish-kryeministri, Sali Berisha, nuk u paraqit këtë të hënë në SPAK. Mungesa u motivua nga avokatët e tij me arsye shëndetësore, një situatë virale që po kalon lideri demokrat.
Situata jo e njëjtë me radhët e kaluara të paraqitjes në SPAK u vu re me mungesën e mbështetësve të tij para godinës. Më tej, kur ora shënoi 10:00 dhe kamerat televizive prisnin mbërritjen e automjetit që shoqëron Berishës, dy djem çmontuan podiumin e përgatitur për të.
Një nga juristët e PD u pa të kalojë pragun e SPAK, për të informuar prokurorët për situatën shëndetësore të ish-kryeministrit dhe pamundësinë e tij për t’u paraqitur në SPAK.
Përmes një postimi në Facebook, avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, tha se për arsye shëndetësore, gjendje virale, paraqitja e ish-kryeministrit në SPAK ishte e pamundur. Në ditët në vijim, mbrojtësit e Berishës, pritet të paraqesin në SPAK edhe raportet përkatëse shëndetësore për të justifikuar ligjërisht pamundësinë e zbatimit të vendimit të gjykatës nga ish-kryeministri.
Ndërsa zbaton masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” prej muajit janar, më 30 qershor në Gjykatën e Posaçme pritet të zhvillohet seanca e parë e gjyqit në themel ndaj Sali Berishës dhe të bashkëpandehurve të tij të dosjes “Partizani”.
Të pandehurit e çështjes, të akuzuar për “korrupsion” e “pastrim të parave” do të gjykohen nga një treshe e përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj e Bib Ndreca. (A2 Televizion)