Balluku në Forumin Global të Transportit dhe Ndërlidhjes: Prezantova progresin në transportin rrugor dhe aviacionin civil

Nga A2 CNN
28 Qershor 2025, 12:27 | Politikë

Balluku në Forumin Global të Transportit dhe Ndërlidhjes:

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Forumin Global të Transportit dhe Ndërlidhjes, mbajtur në Stamboll.

Balluku deklaroi se në këtë forum ka “prezantuar progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në fushën e transportit rrugor, aviacionit civil, si dhe kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, me ato porte, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër, në një listë të vendeve të zhvilluara”, shkruan A2.

“Nën ombrellën e Qeverisë turke dhe me kujdesin e veçantë të Presidentit Erdogan, u zhvillua Forumi Global i Transportit dhe Ndërlidhjes. 70 ministra dhe akoma më shumë delegacione nga e gjithë bota morën pjesë në këtë event të rëndësishëm vjetor, i cili sjell bashkë vendet europiane me eksperiencën e tyre të çmuar përsa i përket kornizave rregullatore dhe projekteve me fizibilitet të lartë, si dhe vendeve nga Azia dhe kontinentet e tjera, që sjellin eksperiencën e tyre në projektet e guximshme dhe teknologji të avancuar. Panele me prezencë të ministrave për trajtimin e çështjeve më sensitive janë zhvilluar para një publiku të gjerë për të folur qartë e hapur për sfidat që përballen sot qeveritë, përsa i përket transportit dhe ndërlidhjes multimodale në tërësi, teknologjisë së re që avancon çdo ditë dhe që kërkon angazhim nga të gjithë aktorët e transportit. Elektrifikimi i hekurudhave, flotat e reja të automjeteve elektrike, portet e gjelbra dhe të lidhurat me portet e thata dhe mbi të gjitha projekte me përfitim rajonal janë diskutuar, pasi transporti nuk ka më kufij”, tha Balluku.

“Kam prezantuar me këtë rast progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në fushën e transportit rrugor, aviacionit civil, si dhe kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, me ato porte, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër, në një listë të vendeve të zhvilluara. Forumi Global për Transportin dhe Ndërlidhjen ka shënuar një tjetër thirrje të këtij komuniteti për bashkëpunim të qenësishëm për projekte të bashkërenduara që lidhin vende dhe rajone, madje edhe kontinente dhe mbi të gjitha këto instrumente të ndërlidhjes janë jo vetëm në dispozicion të ekonomisë, tregtisë, por janë dhe në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër, ato janë njësi të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme të sigurisë botërore. Në ditët e sotme, kur padyshim siguria është në rendin e parë të listës së çdo qeverie, transporti, ai multimodal është i rëndësishëm dhe është jetësor”, shtoi Balluku.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos