Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Keltis Kruja, me anë të një postimi në Facebook, reagoi pas rinumërimit të votave në Tiranë, duke theksuar se “të gjithë i detyrohemi një ndjesë të madhe numëruesve tanë, puna dhe integriteti i të cilëve, me apo pa dashje, u vu në dyshim”.
“Tani që rinumërimi i Tiranës mbaroi, të gjithë i detyrohemi një ndjesë të madhe numëruesve tanë, puna dhe integriteti i të cilëve, me apo pa dashje, u vu në dyshim. Vajza e djem, gra e burra që sakrifikojnë çdo ditë për atë që besojnë. Respekt”, lexohet në postimin e Krujës, përcjell A2.
Rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Qarkun e Tiranës u mbyll pas 9 ditësh, pa asnjë surprizë, duke mos ndryshuar as ndarjen e mandateve brenda partive politike dhe as mandatet mes subjekteve.
Për dy prej anëtarëve të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, Koli Bele dhe Ledio Braho, procesi shërbeu më shumë për të bërë transparencë, duke hedhur poshtë akuzat e kandidatëve për parregullsi në numërimin e parë.
Demokratët që kërkuan rinumërimin dolën nga procesi me 612 vota më pak në krahasim me procesin fillestar, ndërsa PS reduktoi rezultatin me 380 vota.
Me mbylljen e procesit të rinumërimit në Tiranë, do të nisë hapja e kutive dhe për qarkun e Fierit dhe Durrësit, për të verifikuar dhe në këto qarqe numërimin e parë.
(A2 Televizion)