Pas zyrtarizimit të 4 nënkryetarëve të rinj të Bashkisë Fier, zv/kryeministrja Belinda Balluku, në një prononcim për mediat ka pohuar se ky proces ka nisur disa muaj më parë, për një riorganizim të mirëfilltë të bashkisë me qëllim rritjen e cilësisë dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ajo ka vendosur theksin në ristrukturimin e thellë të strukturave të bashkisë, që ka të bëjë ndarjen e detyrave, digjitalizimin e shërbimeve dhe mbi të gjitha transparencën ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, kryebashkiaku Armando Subashi ka theksuar se ky është një proces që do të vazhdojë edhe në nivel institucionesh vendore. Sipas tij, struktura e re e bashkisë në dy-tre muajt në vijim do të ndryshojë tërësisht, në përputhje të plotë edhe me statusin e nëpunësit civil për çdo punonjës.
Sa i përket zgjedhjeve të pjesshme që do të zhvillohen në disa bashki të vendit, Balluku është shprehur e bindur se Partia Socialiste do të ketë të njëjtin sukses, sikurse ka patur në 11 Maj jo vetëm në Fier, por në mbarë Shqipërinë. (A2 Televizion)