Kreu në detyrë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tartar Bazaj, po raporton në Komisionin e Ligjeve. Ai është pyetur nga kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili është shprehur se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pasur kryetar për 5 vite Alfred Ballën, “një person që sipas kushtetutës nuk mund të ushtrojë profesion në organet e drejtësisë për 15 vite”. Sipas Bardhit, kjo cenon rëndë besimin e publikut dhe integritetin e KLP.
“Kam ndjekur mbledhjen e fundit të KLP dhe dua të shpreh keqardhje për nivelin e asaj mbledhjeje. KLP, për më shumë se 5 vite ka pas kryetar një person që sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrojë profesion në organet e drejtësisë për 15 vite. Kryetari i saj ka qenë në kushtet e pazgjedhshmërisë në atë pozicion. Ka marrë pjesë në procese të rëndësishme në organet e drejtësisë së re. Sa e ka cenuar kjo vendimmarrjen e KLP dhe sa ka kontribuar kjo në forcimin e besimit të publikut të KLP? Në gjykimin tim një person që është në kushtet e pazgjedhshmërisë cenon rëndë besimin e publikut dhe integritetit të KLP”.
Bardhi pyet KLP-në pse nuk ka kaluar vetingun Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj.
“I vetmi prokuror në Shqipëri që i është shmangur vetingut dhe është sot në sistem, është bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj, zoti Bledar Valikaj. Është i vetmi prokuror në Republikën e Shqipërisë që nuk i është nënshtruar vetingut në asnjë komponent. Kushtetuta thotë që çdo prokuror që do të rrijë në sistem duhet t’i nënshtrohet vetingut. Sot i vetmi prokuror në Shqipëri është Bledar Valikaj, që nuk ka kaluar sistemin e vetingut. Po ashtu, ka një shqetësim që në të njëjtin institucion janë emëruar 4 anëtarë të një familje. Këtu ka të bëjë me vendimmarrje në konflikt të interesit”.
(A2 Televizion)