Pasi replikoi italisht për reportazhin e parë dhe dha intervistë për episodin e dytë të investigimit të RAI 3, Kryeministri Edi Rama me anë të një video të regjistruar iu drejtua qytetarëve shqiptarë. Foli gjatë për baltë të hedhur ndaj vendit tonë, pasi – siç u shpreh ai – nuk ia falin dot Shqipërisë suksesin e arritur vitet e fundit.
Me publikun vendas ndau përjetimin e tij personal duke e vendosur veten në pozicion mbrojtës përballë sulmeve që sipas tij nuk janë vetëm ndaj postit që mban por prek edhe popullin shqiptar.
“Është një sulm mbiemrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur.”
Ndër dëshmitë e sjella nga investigimi Italian ishte edhe ajo e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj që tregonte për takime të krerëve të mafias me shefin e Qeverisë në pallatin e pushtetit. Rama nuk ia përmend emrin ish-bashkëpunëtorit të vet, por me skanimin e personazheve që folën në emisionin Report kundër tij, synon të bindë shqiptarët se akuzat nuk janë të besueshme.
“U përdorën si heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë.”
Emrat e denoncuar në investigim, i mbrojti. “U trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, deri tek personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh, pa asnjë lloj fakti.”
Kryeministri flet për investigim italo-shqiptar. Nga një anë justifikon emisionin dhe gazetarin italian që e intervistoi në zyrën, por nuk “fal” politikën në Tiranë, që sipas tij ka prodhuar këtë material.
“Asgjë e pakontestueshme logjikisht, nuk kishte aty e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nga ky pseudoinvestigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po ka akuza”! Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara?”
Rama kërkon nga qytetarët që të ndëshkojnë me votë autorët shqiptarë të këtij investigimit, siç i quan ai.
“Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor.” (A2 Televizion)