Bardhi-Nikollës: Na keni sjellë në Kuvend vrasës, ditën votonin ligje, natën porositnin vrasje

Nga A2 CNN
6 Qershor 2024, 12:21 | Politikë

Akuzat e ngritura ndaj kryeministrit Edi Rama në një emision televiziv të transmetuar në Rai3, disa ditë më parë, kanë ndezur debatet në sallën e Kuvendit, ku opozita kërkoi mocion me debat, i cili u rrëzua nga deputetët e mazhorancës. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se lufta ndaj krimit të organizuar duhet të jetë prioritet i Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, sikurse lufta ndaj korrupsionit, për këtë të fundit PS-ja miratoi edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm.

Bardhi akuzoi kryeparlamentaren se mazhoranca ka sjellë vrasës në Kuvend, të cilët ditën miratojnë ligje dhe natën porositin vrasje. Ai tha se mazhoranca nuk kërkon ndjesë që Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik në Shkodër një njeriu që porosiste vrasje, pasi është peng i krimit.

“Nuk është lidhja e krimit të organizuar me politikën çështje e parlamentit këshillit të Ministrave? Çështje e kujt është? E bordit të organizatave të krimit të organizuar e kryetarit të këtij bordi që për fat të keq është kryeministri i Shqipërisë. Një javë më parë, grupi juaj solli një kërkesë për luftën ndaj korrupsionit. Pse është lufta ndaj korrupsionit më shumë prioritet se lufta ndaj krimit të organizuar kur këto fusha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Janë të njëjtët njerëz që pasi blejnë zgjedhje bashkëpunojnë me zyrtarët publikë për të përfituar tendera, licenca, koncesione investime strategjike. Nuk keni kërkuar ndjesë që Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik një njeriu që porosiste vrasje. Një drejtuesi të një grupi të strukturuar kriminal në bashkinë e Shkodrës që kishte grabitur 400 mijë metër katrorë pronë publike me firmën e Ramës. Keni kërkuar ndjesë ju? Nuk kërkoni dot ndjesë ju, se ju i keni peng ata ju kanë peng ju. Dhe kjo po gërryen ekonominë jetën e sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe për ju është temë e ndaluar në kuvend”.

Ai solli në vëmendje ish-deputetët Rrahman Rraja dhe Arben Ndoka.

“Një kryetar kuvendi që thotë që lufta ndaj krimit të organizuar nuk mund të jetë çështje debati mes deputetësh. Lufta për të larguar Arben Ndokën me shokë është një luftë e rreme nuk ekziston, ishit po ju që thoshit se dekriminalizimi ishte shpikje e opozitës. Na keni sjellë këtu vrasës nga njëra anë, deputetet zonja të nderuara që kishin në krah vrasës, trafikantë prostitutash, trafikant droge. Ai ishte Arben Ndoka që ditën dekretonte ligje, natën porosiste vrasje. Ne e shpikëm këtë? Rai 3 e shpiku këtë? Bild e shpiku këtë? Jo moj zonjë. A ishte Rrahman Rraja përfaqësues i një fisi tjetër që ditën votonte ligje, natën porosiste vrasje? Ne e shpikëm këtë? Rai 3 e shpiku këtë? Bild e shpiku këtë? Jo moj zonjë, janë realitete, dhe sa më shpejt ta pranoni, unë njoh shumë prej jush nga krahu juaj që janë të ndershëm dhe e duan Shqipërinë”.

Sipas Bardhit, në zonat elektorale nuk pyeten deputetët, por përfaqësuesit e krimit të organizuar.

“Pyeteni ju në zonat tuaj kush do të punësohet, kush do të marrë koncesione apo pyeten përfaqësuesit e krimit të organizuar? Pse nuk flisni ju. Ju nuk ju pyet njeri në Shkodër, vendosin deputetë apo vendosin Bajrat? Në Durrës vendosin bandat apo deputetët e PS? Vendosin bandat. Ju patjetër që i dini, por nuk reagoni”.

Ai u bëri apel deputetëve të të dy kampeve që të reagojnë dhe të mos jenë pjesë e projektit politik personal të Ramës.

“Sot është dita që të reagojmë të gjithë. Nuk është kosto e Shqipërisë që Rama ka një projekt politik për të mbajtur me dhunë pushtetin përmes dhunës së bandave dhe fuqizimit të krimit të organizuar. Ky është projekt personal i tij që nuk duhet të krijojë ndasi për ta luftuar, as majtas, as djathtas. Zonja kryetare respekto kushtetutën dhe mos u tall me shkresat e shtetit shqiptar! Mos shkruaj budallallëqe se është turp për Kuvendin e Shqipërisë se turpëron veten dhe fëmijët e tu! Kjo nuk është luftë e PS-së e PD-së, është luftë e çdo shqiptari të ndershëm”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos