Debate dhe akuza në Kuvend për futjen e Sali Berishës në grupin e PD-së

Nga A2 CNN
6 Qershor 2024, 10:47 | Politikë

Është shoqëruar me debate kërkesa e kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, për futjen e Sali Berishës në grupin parlamentar. Për kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ky është një vendim partie dhe duhet të futet në grup me vendim partie. Po për deputetët demokratë, lënia jashtë e Sali Berishës është antikushtetuese dhe e qëllimshme.

“Kur i lexoni njoftimet grupit të PD-së, lexoji deri në fund jo një po, një jo, një ndoshta. Shkresa jonë ka edhe një pikë 2. Bashkangjitur gjeni anëtarët e PD-së. Nuk mund të lexoni njoftimet tona sipas dëshirës tuaj, por siç janë dërguar”, tha Bardhi.

Por Nikolla iu përgjigj: “Futet me vendim partie në grup. Në atë njoftim ka një rast që është përjashtuar nga PD-ja dhe duhet të futet në grup po me vendim të PD-së”.

Kjo përgjigje e kryeparlamentares ka ndezur debatin mes deputetëve demokratë Spaho, Bylykbashi dhe Luan Baçi.

Edmond Spaho: "Nuk keni asnjë atribut që të ndërhyni në vendimet e grupit të PD-së. Kushtetuta, rregullorja, KQZ-ja, vetëdeklarimi i deputetit  dhe shkresa që ju ka ardhur nga grupi i PD-së, ju detyron të njoftoni se Sali Berisha anëtar i grupit parlamentar të PD. Nuk e kuptoj çfarë keni ju me vendimet e grupit të PD, është përgjegjësia e atij që deklaron. Ku e gjeni ju të drejtën të merrni vendime të tilla në emrin tonë”.

Lindita Nikolla: "Ka një vendim partie për Sali Berishën dhe futet me vendim partie. Neni 116 më jep atributet për interpretimin e rregullores dhe ky është interpretimi im dhe këtu e mbyllim këtë debat".

Oerd Bylykbashi: "E keni hapur këtë legjislaturë me shkelje kushtetute. Kushtetuta ndalon çdo lloj mandati imperativ. Vendimi juaj për të lënë jashtë një deputet të Republikës në mënyrë të veçantë kreun e PD-së, Sali Berisha është veprim i qëllimshëm, antikushtetues për të penguar opozitën në veprimtarinë e saj. Nuk ka asnjë dispozitë për përjashtimin e deputetëve, nuk keni asnjë tagër për ta bërë këtë gjë. Detyra juaj është të lexoni njoftimin e plotë; Sali Berisha duhet të jetë pjesë e këtij grupi. Përgjegjësia është drejtpërdrejt e juaja”.

Luan Baçi: "Para disa kohësh, keni marrë një vendim për futjen në grupin e PD-së të disa deputetëve të përjashtuar sikurse jam përjashtuar unë dhe jam pranuar. Janë dy standarde, janë dy qëndrime të kundërta, jeni në shkelje të ligjit".

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka refuzuar kërkesën e kreut të grupit parlamentar demokrat për mocion me debat për emisionin e RAI 3 për Shqipërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos