Në ditën e dytë të pritjeve në zyrën presidenciale, Bajram Begaj dëgjoi propozimet e përfaqësuesve të Ilir Metës dhe të Tom Doshit, si dhe opozitarëve pa parti zyrtare, sa i përket datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Enkelejd Alibeaj si përfaqësues partisë së shpallur, por të paregjistruar, “Djathtas 1912” dhe Sekretari i Përgjithshëm i PL kanë vetëm një kusht, që zgjedhjet të mos mbahen në 11 maj, data që mendohet se preferohet nga socialistët.
“Edhe figura e Presidentit në këtë rast të mos bjerë në atë kurthin e vogël të politikës për t’u keqpërdorur ndaj në këtë pikë sugjerimi im do të ishte data 4 Maj”, tha Alibeaj.
“Për ne është e pranueshme çdo datë, përveç datës së caktuar nga Taulant Balla”.
Lulzim Basha zgjodhi që të mos i imponohet Kreut të Shtetit duke i lënë vullnet të lirë Begajt.
“Nuk është çështje dëshire, është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Një nga ato katërt fundjava. Data është atribut i Presidentit, standardet dhe procesi janë shqetësimi ynë”, tha Basha.
Shqetësimi i vetëm i tij lidhet me standardet. Ai mendon që Bajram Begaj e ka thirrur si përfaqësues i demokratëve që janë kundër Sali Berishës. “Në cilësinë e dikujt që përfaqëson një vullnet politik të tjetërsuar nga vendimi i gjykatës së Apelit.”
Më i qartë në objektivin e tij ishte deputeti i PSD, Gledis Çeliku. “Ishim për datën 4 Maj, në fillim të Majit. E rëndësishme për ne është të përfundojnë teknalitetet e KQZ lidhur me votën e diasporës.”
Kreu i grupit të PD nuk do të shkojë në takimin e ditës së hënë. Gazment Bardhi refuzimin Kreut të Shtetit ja ka komunikuar në rrjetet sociale, duke shmangur një përballje me të.
“Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.”
Mungesa e Bardhit do t’i japë më shumë kohë Presidentit të dëgjojë PS dhe KQZ ditën e hënë për të përmbyllur konsultimet. Me pas Bajram Begaj do të jetë ai që do të firmosë dekretin se kur shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje, datat që preferojnë shumica apo atë që kërkon PS. (A2 Televizion)