Bardhi tha se SPAK ka nisur hetimet për Olsi Ramën, vjen përgjigja e kryeministrit

Nga Armand Bajrami
8 Maj 2024, 18:49 | Politikë

Bardhi tha se SPAK ka nisur hetimet për Olsi Ramën, vjen

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha se Prokuroria e Posaçme SPAK ka rinisur hetimet për një fraksion të pezulluar të dosjes “Xibraka”, pas kërkesës së bërë prej tij.

“SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë”, tha Bardhi në një postim në Facebook.

Shënimi shoqërohej me foton e një urdhri të SPAK për thirrjen e Bardhit për të dhënë deklarime para agjentëve të BKH si deklarues, më 15 maj, ora 10:00. Në përgjigje të tij, përmes një postimi në rrjetin “X” kreu i qeverisë, Edi Rama, tha se drejtësia vepronte vetëm me ligje dhe prova.

Duke e konsideruar si kallëzues të rremë, Rama theksonte se Bardhi duhet të konfirmojë para SPAK se kur ka shkruar “informacion” në një shkresë të dërguar në SPAK nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.

“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull!

Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.

Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit!

Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”, shkruan Rama.

Reagimi erdhi pasi Gazment Bardhi publikoi dokumentin, ku njoftoi se SPAK ka nisur hetimet për vëllanë e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për laboratorin e drogës në Xibrakë. Bardhi thotë se çështja është riaktivizuar e madje kreu i grupit të PD-së është thirrur për të dhënë shpjegime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos