Basha, kryetar i PD! Gjykata e Tiranës refuzon kërkesën e Bardhit për ta çregjistruar

Nga A2 CNN
30 Prill 2024, 13:25 | Politikë

Basha, kryetar i PD! Gjykata e Tiranës refuzon kërkesën e Bardhit

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e 6 deputetëve për ta çregjistruar Lulzim Bashën si kryetar i PD-së. Gjyqtari Gentjan Marku vendosi mos të legjitimojë Këshillin e thirrur nga Gazmend Bardhi.

Që do të thotë se kryetar i Partisë Demokratike në regjistrat e partisë do të vijojë të jetë Lulzim Basha, përtej luftës së bërë se kush do të drejtojë partinë më të madhe opozitare në vend. 

Për vulën e PD-së, ka pasur një betejë të Lulzim Bashës me Sali Berishën dhe një tjetër të Bashës me Gazment Bardhin. Ky i fundit pas afrimit me ish-kryeministrin, kërkoi të spostonte kryedemokratin dhe të rikthente te grupimi ku ai bënte pjesë vulën dhe siglën e partisë.

Për këtë, më 27 korrik 2023, Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar të PD-së, mbledhje të cilën ai e drejtoi nga Kryesia e Kuvendit. Asokohe njoftoi se në mbledhje morën pjesë 245 anëtarë dhe nga ku vendosi të anulonte zgjedhjet e 29 korrikut ku garonte Basha për t’u rikthyer në parti si drejtues i saj. Mirëpo, pavarësisht përpjekjeve të Bardhit, zgjedhjet u mbajtën dhe Basha u zgjodh kryetar. Për pasojë, çështja përfundoi në Gjykatën e Tiranës, me kërkesë të Bardhit për të hequr emrin e Bashës nga regjistri i partive politike, kërkesë kjo e cila nuk u pranua sot nga Gjykata e Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos