Berisha sulmon Ramën për “Albanian File”: 523 projekte në shkelje të ligjit, Shqipëria në kthetrat e karteleve të drogës

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2026, 12:32 | Politikë

Berisha sulmon Ramën për “Albanian File”: 523 projekte

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi sot kryeministrin Edi Rama lidhur me dosjen e njohur si “Albanian File”, të cilën e cilësoi si një nga dosjet më kriminale në historinë e Evropës.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama e ka trajtuar territorin e vendit si pronë personale, duke shkelur Kushtetutën, ligjet e pronësisë dhe legjislacionin urbanistik.

“‘Albanian File’ është një nga dosjet më kriminale në tërë historinë e Evropës. Është dosja që dëshmon se zonat më të bukura turistike, panoramike, piktoreske, peizazhet më magjike të vendit në bregdet, në kodrat, malet, luginat, majat e këtij vendi i janë shitur drogës, drogës dhe vetëm drogës”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati deklaroi se dosja përmbledh 523 projekte, për të cilat, sipas tij, nuk është respektuar asnjë kusht ligjor, qoftë në aspektin e pronësisë, mjedisit apo urbanistikës.

"‘Albanian File’ apo ‘Libri i Kuq’ ose ‘Dosja Shqiptare’ mund të ketë titull tjetër Padrinoja Miliarder. ‘Albanian File’ mund të ketë titull tjetër ‘Shqipëria në Kthetrat e Karteleve dhe Mafies më të Rrezikshme të Evropës dhe Botës’. Apo mund të quhet ‘Kushtetuta Urbanistike e Parë e Narkoshtetit të Parë dhe të Vetëm në Evropë’", tha Berisha. 

"‘Albanian File’ ose ‘Libri i Kuq i Padrinos’, i cili është denoncuar muaj më parë së pari nga gazetarë guximtarë dhe më pas është denoncuar nga PD në këtë sallë, në parlament dhe kudo, përmbledh edhe njëherë për rikujtesë 523 projekte, për të cilat nuk ekziston as edhe një kusht i vetëm ligjor i respektuar, qoftë në rrafshin e pronësisë, qoftë në rrafshin e mjedisit, qoftë në rrafshin urbanistik dhe në asnjë rrafsh tjetër", vijoi kryedemokrati. 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos