Beleri në Tiranë, Rama anulon takimin zyrtar, u shkon në hotel eurodeputetëve

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 11:41 | Politikë

Kryeministri Rama ka anuluar takimin zyrtar me delegacionin e eurodeputetëve të Komitetit te Stabilizim Asociimit që po viziton Tiranën. Në agjendën e ekipit të deputetëve europianë, pjesë e të cilëve është edhe Alfred Beleri, ishte parashikuar një takim me kreun e Qeverisë mëngjesin e sotëm në orën 10:00 por A2 CNN mësoi se ky takim është anuluar një ditë më parë nga selia e Kryeministrit për shkak të impenjimeve të Ramës.

Një prej eurodeputetëve pohoi për gazetarët se gjithsesi Kryeministri kishte gjetur kohën për t’i shkuar herët në mëngjes në ambientet e hotelit ku po qëndron ky delegacion. Mbetet e paqartë nëse në këtë takim informal ishin të gjithë eurodeputetët, përfshirë edhe Fredi Belerin. Vetë ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, tashmë pjesë e Parlamentit Europian, kur u pyet drejtpërdrejtë nga gazetarët, ngriti supet dhe nuk konfirmoi nëse ka shtrënguar duart me Ramën apo nëse ishte pjesë e takimit informal mes Kryeministrit dhe eurodeputetëve në hotel mëngjesin e sotëm.

Gjithashtu Kryeministria nuk konfirmon që të ketë pasur një takim mes Ramës dhe Belerit.

Ndërkohë në orën 10:00, nga zyra e Ramës doli kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, i cili i pyetur nga A2 CNN se për çfarë kishte ardhur, u përgjigj vetëm se ishte në një takim me kryeministrin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos