Fredi Beleri është çështja më e nxehtë mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe po bëhet shkak për bllokimin e integrimit të vendit. Por Sali Berisha në një konferencë për mediat, deklaroi se shkaktar për këtë situatë që rrezikon të vonojë anvancimin e vendit tonë drejt Bashkimit Europian, nuk është Greqia, por Edi Rama dhe autoritetet e tjera shtetërore që nuk po lejojnë betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
“Betimi i Belerit nuk kërkon vendim gjykate, kërkon urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e mbledhjeve të bashkisë së Himarës ku të bëjë betimin. Është ministria e Drejtësisë, është drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është gjithçka ekzekutive. Pra, po e pengon Edi Rama. Nuk po kërkon Greqia asgjë tjetër, veçse zbatimin e ligjeve të vendit”, u shpreh Sali Berisha.
Lidhur me Kuvendin Kombëtar të 2 Dhjetorit ku dhe do to votëbesohet, kreu i Rithemelimit u shpreh i bindur se do të marrë shumicën e votave por shtoi se do t’i bindet çdo vendimi të delegatëve. Ftesën publike për të qenë të pranishëm e nisi edhe në adresë të Gazment Bardhit dhe deputetëve që e mbështesin, por pohoi se nuk do kishte asnjë krisje mes tyre edhe nëse e refuzojnë praninë në Kuvend.
“Deputetët janë të ftuar pa përjashtim që të gjithë, por varet nga vendimi i tyre. Nëse nuk vijnë, janë të mirëpritur, nëse vijnë, janë të mirëpritur dhe do vijnë”.
Sa i përket aksionit të opozitës, ish-kryeministri përsëriti edhe njëherë thirrjen për mosbindje civile. (A2 Televizion)