Ligji për Komisionet Hetimore, PS dorëzon draftin: Respekton ndarjen e pushteteve

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 14:03 | Politikë

E drejta e pakicës parlamentare për të ngritur komisione hetimore është e konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese, por drafti i prezantuar nga socialistët synon të ndryshojë ligjin mbi të cilin bazohet funksionimi i tyre, duke vendosur mes të tjerash edhe disa kushte.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj argumentoi se pr/ligji kërkon të fusë komisionet hetimore brenda kornizës kushtetuese, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve.

Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit, kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese, si më poshtë: Çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit. Objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete. Duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme, për ekzistencën e çështjes për të cilin kërkohet ngritja e komisionit hetimor.” Si hartuese e këtyre ndryshimeve, duke u bazuar në ligjin Gjerman, Felaj thotë që Kuvendi nuk do të jetë më super-organi që i mbivendoset institucioneve të tjera.

Me arsyetimin se drafti i tyre ofron më shumë garanci për dëshmitarin, socialistët propozojnë që të merret leje nga SPAK apo Gjykata para se dikush të thirret për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, në rastet kur çështja është nën hetim apo gjykim. Dëshmitarët e thirrur në komisionin hetimor mund të përfaqësohen edhe me një mbrojtës ligjor. 

Përveç rregullores së Kuvendit, komisionet hetimore funksionojnë bazuar edhe në Kodin e Procedurës Penale, dispozitat e të cilit – sipas Felaj – nuk njihen mirë nga deputetët. Për t’u ardhur në ndihmë, nene të caktuara të Kodit i kanë implementuar në këtë ligj.

Gjithashtu mazhoranca mendon se planin e hetimit duhet të bëjë eksperti ligjor që zgjidhet me 2/3 të votave të komisionit.

Konsensusi për të dalë me një draft të përbashkët në fund të diskutimeve duket i largët, por Felaj thotë se do të shqyrtohen edhe draftet e depozituar prej më shumë se një viti nga Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho. 

Këto ndryshime vijnë në një kohë kur opozita e ka kusht të panegociueshëm krijimin e Komisioneve Hetimore, plot 8 të tilla, duke paralajmëruar se në rast se kjo nuk do të realizohet atëherë nuk do të lejojnë funksionimin normal të Kuvendit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos