Berisha akuza Ramës: Kjo është vjedhja më e tmerrshme në 32 vite

Nga A2 CNN
23 Gusht 2024, 14:26 | Politikë

Sali Berisha, edhe këtë të premte kërkoi shpjegime nga kreu i qeverisë, Edi Rama, lidhur me pronat e trashëguara nga familjarët e tij në Vuno të Himarës.

Në një deklaratë për mediat nga banesa e tij, lideri demokrat heshtjen e Ramës e konsideron si pranim të akuzave që janë bërë prej gati një muaj nga Partia Demokratike, se ai dhe familjarët e tij kanë grabitur 224 mijë metër katror tokë në bregdet.

Berisha hedh dyshime se kjo sipërfaqe toke është përfshirë në zonën e investimeve strategjike, ndaj dhe i drejton disa pyetje Ramës, shkruan A2 CNN.

“A ke shpallur veten Edvin Gjipeja si kryetar i komitetit të investimeve strategjike në ndonjë nga vendimet tua si investitor strategjik në zonën e Jalës? Në rast se keni përfshirë në zonën e investimit strategjike tokën e grabitur nga t’i dhe familjarët e tu, atje lart në rripa malesh apo aty poshtë buzë detit dhe Kanionit të Gjipes, a mund të ju thuash ndonjë fjalë shqiptarëve?” Ngriti pyetjet Sali Berisha, kryetar i PD.

Sërish, ai nënvizon se për këto prona në Vuno, as kreu i qeverisë dhe as familjarët e tij nuk kanë asnjë dokument. “A e kupton ti Edvin Gjipeja, hajduti i Gjipesë se, po grabit një tokë duke përdorur pushtetin e kryeministri për të cilën nuk ke asnjë dokument kadastral, asnjë dokument shpronësimi nga shteti dhe asnjë dokument zyrtar se gjysh yt Petro Koleka, e ka blerë atë nga ndonjë person tjetër”, tha Berisha.

Berisha pohon se nuk pret që kryeministri t’i kthejë përgjigje dhe të japë përgjigje, por shton se do të vijojë me denoncime deri sa të zbardhet e vërteta për pronat e trashëguara nga familjarët e Ramës në Vuno të Himarës.

Edi Rama hiq dorë se je kapur në një vjedhje të tmerrshme të madhe. /A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos