Meta zotohet të rikthejë taksën e sheshtë me 10%

Nga A2 CNN
23 Gusht 2024, 13:53 | Politikë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se forca e tij politike do të kthejë taksën e sheshtë në masën 10%, njëlloj siç ishte në kohën e qeverisë Berisha deri në vitin 2013, para se socialistët të vinin në zbatim taksimin progresiv, raporton A2.

“Do të aplikojmë taksën e sheshtë 10% dhe do të rimbursojmë TVSH-në për kompanitë eksportuese”, tha Meta në një konferencë për mediat, ku prezantoi disa propozime për ekonominë. Ai gjithashtu tha se do të propozojë uljen e normës së tatimit në 5% për kompanitë e huaja me mbi 50 milionë euro fitime, në mënyrë që të thithen investimet e huaja.

Meta e quajti Shqipërinë një “narkoshtet që prioritet kryesor në fushën e import-eksportove ka krimin, drogën dhe paratë e pista sepse eksportet e mallrave edhe për muajin maj 2024, sipas vetë INSTAT”.

“Modeli ekonomik i vendit ka nevojë për përmbysje radikale, duke u orientuar tërësisht nga eksportet, dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe jo vetëm nga sektori i ndërtimit dhe konsumit. Kontributi i eksporteve në ekonominë shqiptare vijon të ketë tregues thellësisht negativ, duke e bërë ekonominë tonë shumë më pak konkurruese në rajon dhe botë. Të dhënat e 3-mujorit të parë tregojnë se eksportet e mallrave kanë rënë me 30%, ose me 28 miliardë lekë më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si rezultat është përkeqësuar rëndë deficiti tregtar i vendit.  Nga një deficit tregtar në 86 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2023, ky deficit është rritur në minus 114 miliardë lekë në vitin 2024. Ecuria negative e eksporteve të vendit në vitin 2024, do ta thellojë akoma më shumë diferencën, me nivelin e eksporteve me vendet e rajonit”, shtoi Meta.

Ish-presidenti shtoi se eksportet e Shqipërisë në vitin 2023 ishin sa 8.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, njësoj si para 25 viteve. “Ndërkohë që në Shqipëri ishin 8.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto eksportet, në Maqedoninë e Veriut fqinje ishin 57% e PBB. Nisur nga ecuria aktuale tepër negative, kjo diferencë pritet të thellohet më tej, duke faktuar dështimin e plotë të Qeverisë, për të mbështetur kompanitë eksportuese, për t’i mbrojtur ato nga rritja globale e çmimeve të lëndëve të para, si dhe nga kriza e kursit të këmbimit, që është e nxitur artificialisht dhe qëllimisht nga qeveria, për interesat e saj. Shqipëria fuqi eksportuese, është një nga 5 prioritetet kyçe të Partisë së Lirisë”.

Për shkak të këtyre problemeve, Partia e Lirisë prezantoi planin për rritjen e eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

1. Mbështetje të fuqishme për biznesin prodhues dhe eksportues.

2. Kthimi i strukturës ekonomike në prodhuese.

3. Përmirësimi i performancës eksportuese të kompanive, me anë të rritjes së numrit të produkteve të eksportit që kanë një nivel më të lartë të vlerës së shtuar, përmes rritjes së numrit të kompanive eksportuese dhe përmes rritjes së numrit të tregjeve të eksportit.

4. Do të reformojmë sistemin aktual për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, nëpërmjet krijimit të një Strategjie për tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta 2025 ̶ 2035.

5. Tarifa doganore do të rishikohet, duke iu përshtatur nevojave për eksport-import të ekonomisë dhe të shtetit, dhe duke favorizuar eksportet.

6. Ulje e barrës administrative, që sot është katastrofike. Reduktim ekstrem i barrierave ligjore, që janë shtuar në mënyrë të tejskajshme vetëm për qëllime korrupsioni. Abrogim i ligjeve të panevojshme, I akteve nënligjore, rregulloreve dhe procedurave që janë bërë me qëllim që t’i nxijnë jetën biznesit, dhe ti rrisin artificialisht shpenzimet.

7. Mbështetje për sektorin privat konkurrues; Në mënyrë të veçantë mbështetje për inovacionin; Në mënyrë të veçantë mbështetje për kompanitë që krijojnë vende pune produktive dhe paga të larta.

8. Do të aplikojmë taksën e sheshtë 10% nga 15% që është sot, dhe do të rimbursojmë automatikisht TVSH. për  të gjitha kompanitë eksportuese.

9. Për të tërhequr kompanitë ndërkombëtare, që kanë një fitim neto të lartë mbi 50 milionë euro, norma efektive e tatimit do të jetë 5%. Dhe kjo do të bëhet në mënyrën më transparente, dhe jo në mënyrë klienteliste, siç bëhet sot, ku vetëm shqiptarët nuk përfitojnë, por përfiton vetëm Edi Rama, dhe klientët e tij.

10. Mbështetja për inovacionin do të jetë prioritet shumë i lartë. Nëpërmjet shkencës së aplikuar dhe zhvillimit të kërkimit, ne do të mbështesim hapjen e instituteve në fushën e teknologjisë dhe të programeve të inkubacionit dhe përshpejtimit, duke ofruar stimuj shtesë tatimorë, për të tërhequr investitorët dhe fondet në këto fusha, si dhe do të garantojmë viza qëndrimi afatgjata për të gjithë “nomadët” dixhitalë.

11. Do të mbështesim kompanitë që do të financojnë në fushën e teknologjisë të lartë, duke bashkëfinancuar si shtet me ta,  dhe për trajnimet për përdorimin e teknologjive të reja nga të rinjtë tanë, me qëllim punësimin e tyre në këto kompani që do të investojnë në vendin tonë.

12. Ulja e kostos së energjisë me 20 % për karburantet.

13. Liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar.

14. Mbledhja e rentës nga minierat dhe përdorimi për fondin e pagave dhe pensioneve.

15. Do të mbështesim me 10,000 Euro start-upet dhe ato për 5 vitet e para do të jenë të përjashtuara nga taksat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos