Dy anëtarë të KAS pranuan kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore të Bashkisë Himarë. Pretendimi i tyre se brenda kutive janë provat për pavlefshmëri të rezultatit, bindi dy anëtarë të trupës së ankimimeve dhe sanksioneve pranë KQZ-së, duke i dhënë dritën jeshile rikontrollit të materialeve zgjedhore.
Saga e drejtimit të Himarës hyri në një fazë tjetër. Me mbështetjen e dy anëtarëve të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Cefa, u pranua kërkesa e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, duke përshkallëzuar procesin e ankimimit në një tjetër nivel.
Përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkojnë pavlefshmërinë e rezultatit të Himarës dhe pretendojnë se brenda këtyre kutive, do të gjejnë provat e mjaftueshme për të ripërsëritur zgjedhjet.
Tashmë administrata e KQZ do të vijojë me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore nga ku do të verifikohen te gjitha regjistrat e Posaçëm të 36 QV-e në Himarë, ku opozita pretendon se janë evidentuar të paktën 560 zgjedhës që nuk janë lejuar të votojnë pasi karta ID e tyre rezultonte me datë të skaduar.
Pjesë e verifikimit do të jenë edhe procesverbalet apo dokumentet e tjera të këtyre QV-ve ku PD shpreson se janë bërë shënime manuale për identifikimin e 260 votuesve të cilët pajisja e PEI nuk i njihte. (A2 Televizion)