Rikthimin e tij në Parlament pas 11 muajsh Sali Berisha e shoqëroi me akuza të forta në drejtim të mazhorancës socialiste, duke mos kursyer askënd.
Teksa fliste jashtë Kuvendit për mediat, Berisha e ndërpreu fjalën pasi nisi të thirrej Ezani në xhaminë e Namazgjasë dhe kur rifilloi, i lidhi akuzat e tij mbi të majtët edhe me besimin.
“Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë as zërin e Zotit, as të xhamisë, as të kishës, as të teqesë, të njeriut. Janë verbuar nga luksi. Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet”, tha Berisha.
Më tej për të argumentuar korrupsionin e mazhorancës dhe abuzimin me buxhetin, Berisha tha se kur shkon në foltoren e Kuvendit, “mezi qëndroj nga aromat, nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme”.
“Aty bëhet një paradë luksi, bizhush, parfumesh sikur je në një sallon mode dhe jo në një parlament përfaqësues të qytetarëve. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur blen stolinë e oborrit 4 milionë euro. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur shpenzon 21 milionë euro udhëtime me Ismailin e famshëm. Nuk mund t’ia dinë ministret që ulen në tavolinë me biftekun 1 mijë euro. Nuk mund t’ia dinë qeveritarët që shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 mijë euro në javë. Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet”, tha kryedemokrati. (A2 Televizion)