Pas 11 muajsh izolim në banesën e tij dhe takimeve online me deputetët, Sali Berisha u rikthye këtë të mërkurë në krye të mbledhjes së grupit parlamentar. Lideri demokrat u dha porositë deputetëve për aksionin e opozitës në javën në vijim, ku kryefjalë ishte kontakti i shtuar me ndërkombëtarët.
Beteja e opozitës, sipas Berishës, duhet të nisë me denoncimin e dosjeve të mbyllura prej SPAK të krimeve zgjedhore dhe paralajmëroi se çështjet do të ndiqen deri në Strasburg. “Tani të gjitha dosjet që Skrapi i partisë i ka mbyllur, të gjitha dosjet i kanë tejkaluar afatet ligjore, do ti drejtojmë në gjykata, duke paditur autorët e krimit elektoral dhe Skrapin si bashkëpunëtor të tyre që mbyll dosjet. Nëpërmjet gjykatave ne ndjekim spiralin gjer në Strasburg”, tha Berisha.
Teksa u shpreh i kënaqur me punën e deritanishme të deputetëve që hartuan dhe lobuan për disa rezoluta kundër qeverisë, lideri demokrat kërkoi që të vijohet me të njëjtin ritëm për t’u adresuar të gjitha problemet partnerëve të tyre. “Dhe të shqyrtojnë, të përdorin çdo mundësi për inicimin e rezolutave kundër narkoregjimit të Tiranës. Rezolutat janë një bazë fondamentale. Shpallin Shqipërinë narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Reformën e drejtësisë të dështuar, dhe të shndërruar në një armë kundër opozitës”, tha Berisha.
Te ndërkombëtarët pritet të ankohet edhe për aleatin politik, Ilir Meta. Teksa dënoi mënyrën e arrestimit të ish-Presidentit, Berisha pohoi se çështja do të shkojë në Hagë duke u denoncuar si torturë çnjerëzore publike. (A2 Televizion)