Pak pasi Sali Berisha konfirmoi mbështetjen e Partisë Demokratike për aktorin Florjan Binaj si kandidati opozitar për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës, një mesazh përgëzues ka ardhur edhe nga kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
“Ja kështu demokratizohet vendi. Pak nga pak. Partitë duhet të jenë instrumente që e shtyjnë shoqërinë përpara”, shkruan Lapaj në Facebook.
Ai po ashtu i bën thirrje edhe qytetarëve të tjerë apo aktivistëve të shoqërisë civile që duan të kandidojnë në 5 bashkitë e tjera ku ka zgjedhje më 9 nëntor, që të dalin në garë si të pavarur.
“Inkurajojmë qytetarë të tjerë të angazhuar në bashkitë ku ka zgjedhje të shpallin kandidimin si të pavarur. Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ do t'i mbështes”, thekson Lapaj.
Kujtojmë se Lapaj ishte i pari që shprehur mbështetjen për kandidaturën e Florjan Binajt nga radhët e krerëve të partive opozitare. “Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj. Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë”, shkruante Lapaj në Facebook 14 orë më parë.
Qëndrimin e Lapajt sakaq e vlerësoi Sali Berisha gjatë konferencës për media ku njoftoi mbështetjen për kandidaturën e Binajt për kryeqytetin.
“Tani, unë përgëzoj zotin Lapaj për mbështetjen që ka shprehur. Grupi ynë po takohet me radhë me aleatët dhe opozitarët. Mendoj se ne sugjerojmë të mbështesim një kandidaturë, për të cilën janë të vërteta çdo fjalë që thashë. Nuk ka arsye të mos mbështetet ai. Ai i bën nder qytetit, në qoftë se kemi parasysh qytetin, Florjan Binaj i bën nder qytetit. Nëse shohim pastaj në raporte partiake, ai nuk është partiak. Ai është një qytetar, është një njeri i kauzave qytetare, është një luftëtar kundër korrupsionit dhe kjo është një gjë shumë, shumë e çmuar”, tha Berisha.
(A2 Televizion)