Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përkujtuar në seancën e Kuvendit, ish-deputetin socialist Andis Harasani, i cili ndërroi jetë një ditë më parë si pasojë e një sëmundje të rëndë.
Për Berishën, Harasani ishte një politikan i ri i cili punoi për ndryshimin e Shqipërisë, teksa akuzoi Rilindjen se e përzuri atë.
“Andis Harasani i përkiste një plejade politikanësh të rinj. E vërteta, i shkolluar mirë, i kyçur në proceset demokratike që në fillim.
Por nuk mund të mohohet se, ju e përzutë atë, dhe duhet të kërkoni ndjesë. Jo ju personalisht, se nuk e përzutë ju personalisht, por rilindja e përzuri atë.
E kam nderuar me bindje të plotë për atë që thashë, sepse një politikan që rininë ja kushtoi ndryshimit të Shqipërisë, për ato ideale, por e kam nderuar se mbeti socialist besnik i atyre parimeve që besonte gjer ditën e fundit.
Një patriot, një njeri i cili nuk pranoi kurrë të bëjë kompromis me të keqen, siç bëtë ju, me radhë.
Prandaj mund ti kërkonit ndjesë dhe ju garantoj se veç se përfaqësoje jo mendimin e Sali Berishës, por mendimin e qindra dhe mijëra socialistëve që e prisnin sot këtë nga ju”, tha Berisha. (A2 Televizion)