Me të rinjtë si dekor pas krahëve të tij dhe përballë aleatët e vjetër, Sali Berisha prezantoi koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Vendosur në një sallë hoteli në Tiranë, krerët e 25 partive që iu bashkuan demokratëve ishin ulur të gjithë në radhët e para, por askush prej tyre nuk foli pas mesazhit të Berishës.
“Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përfaqëson jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar. [...] Ky koalicion nis garën me një epërsi të jashtëzakonshme morale”, tha Berisha.
Për të parë Shqipërinë madhështore, Berisha premtoi se nuk do të pritet gjatë nëse në 11 maj marrin besimin e shqiptarëve.
“Ky është projekti ynë i Shqipërisë Madhështore, që është absolutisht i realizueshëm dhe që ky koalicion, me potencialet e jashtëzakonshme që ka, do ta shndërrojë mandatin e parë, realitet për shqiptarët”, shtoi Berisha.
Sulmeve të kryeministrit Edi Rama, i cili në ditët e fundit i ka quajtur “grumbuj rraqesh” aleatët e PD, Berisha iu përgjigj duke lënë vetë një prej tyre të flasë.
“Së fundmi i ka ngelur në gojë Kujtimi, jepja ato mustaqe se çmendet pas tyre. Kujtim, se unë e ti e njohim atë nga ana psikologjike, ia di ti arsyen pse e ka atë ai. Por kjo nuk është punë e kësaj mbledhje”, tha kreu i PD.
Në përfundim të prezantimit të koalicionit, Berisha iu drejtuar selisë blu ku doli sërish para gazetarëve në konferencë.
Lideri demokrat bëri thirrje qytetarëve për t’u bashkuar në protestë, por u tregua i rezervuar për detajet e këtij tubimi. (A2 Televizion)