
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vlerësoi rolin e Gjeneratës Z në 32 ditë protestë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku të rinjtë janë pjesëmarrësit më të shumtë.
Gjatë fjalës së tij në promovimin e librit “Tirania e Buzëqeshjes” të Ndriçim Kullës, Berisha e cilëson lëvizjen e të rinjve si "një mrekulli" për Shqipërinë.
Sipas kreut demokrat edhe pse të rinjtë nuk kanë jetuar një regjim autoritar, janë ngritur "në mënyrën më të fuqishme ndaj një diktature autoritare".
“Ndaj dhe dy fjalë për gjeneratën Z. Kjo lëvizje është mrekullia më e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kohëra. Pse e them këtë? Aty janë rryma të ndryshme, por ata që janë energjia, ata që janë guximi, ata që janë shpirti i pamposhtur, ata janë të rinjtë e asaj gjenerate që nuk ka njohur kurrë diktaturë autoritare.
Dhe është kjo gjeneratë që ngrihet në mënyrën më të fuqishme ndaj një diktaturë autoritare.
Në qoftë se një pjesë e gjerë e shoqërisë ul kokën, në qoftë se dhjetëra mijëra intelektualë zgjedhin indiferencën, këta të rinj kanë zgjedhur përballjen me të keqen më të madhe që shqiptarët mund të kenë pasur në histori, me Edi Ramën”. (A2 Televizion)