
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se ka kërkuar te Partitë Popullore Europiane mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare në Shqipëri. Po ashtu Berisha tha se informoi audiencën se protesta nuk është thirrur nga PD, por mbështetet nga selia blu, pasi kërkesat janë shumë të drejta, raporton A2CNN.
“Unë paraqita situatën reale në Shqipëri, ku dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit. Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës. Denoncova me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve dhe kërcënimet, talljet, fyerjet, etiketimet që ai u bën protestës rinore, qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi. Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore dhe të pranishmit, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre në mënyrë që kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, që tashmë ndodhet në sallën e urgjencës, të zgjidhet në mënyrë paqësore: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e reja. Kjo ishte rekomandimi im dhe pati shumë interes edhe gjatë fjalës dhe pas fjalës për situatën në Shqipëri”, tha Berisha.
“Unë kërkova mbështetje ndërkombëtare për këto protesta duke siguruar audiencën dhe bashkëbiseduesit se diktatorët nuk marrin vendime të drejta. Setapi i tyre psikologjik, lidhjet e tyre të tmerrshme me krimin nuk i lejojnë ata asnjëherë të marrin vendime të drejta. Ndaj dhe qytetarët shqiptarë duhet të ndihmohen. Nuk duhet të shkohet hapa të tjerë mbrapa, nuk mund të përdoret dhuna dhe asgjë ndaj tyre përveç përplotësimit të kërkesave politike”, vijon ai.
Sipas kryedemokratit Konferenca u kryesua direkt nga presidenti i EPP-së, Manfred Weber dhe në të ishin pjesëmarrës kryeministrat e Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, kryetari i parlamentit të Serbisë, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, dhe nga Shqipëria Berisha, Albana Vokshi dhe Enri Çeno.
(A2 Televizion)